Rritja e prodhimit të duhanit në Kosovë bie ndesh me MSA-në

Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit nuk ka arritur ta kuptojë nëse ka kaluar apo jo, pika e  tretë e rendit të ditës për shqyrtimin e  kërkesës së Qeverisë së Kosovës për konsultim me Komisionin lidhur me Vendimin e Qeverisë për ndryshimin e normës së tatimit të akcizës.

Pas diskutimeve në pikë të rendit të ditës, pesë deputetë votuan pro, ndërsa nuk kishte abstenime dhe as vota kundër.

Kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku fillimisht tha se kjo pikë kalon, mirëpo reagimet e anëtarëve të tjerë, bën që ky vendim të anulohet.

“Kërkohet interpretim ligjor prej zyrës ligjore dhe njoftojeni zëvendësministrin e Financave për këtë ndryshim”, tha Abdixhiku, pasi zëvendësministri Fatmir Gashi doli nga takimi më herët.

Ndërkaq, gjatë diskutimeve, zëvendësministri i Ministrisë së Financave Fatmir Gashi tha se prioritet i qeverisë është ri-funksionalizimi i industrisë për mbjelljen e duhanit në Kosovë.

“Koncept dokumenti në fjalë ka marr disa vërejtje nga Komisioni Evropian dhe Dogana. Grupi punues e ka përfunduar koncept dokumentin dhe është aprovuar më pas edhe në Qeveri. Në Bashkimin Evropian, industria e duhanit është stimuluar përmes masave të ndryshme”, tha zëvendësministri, duke krahasuar prodhimtarinë  e duhanit në Maqedoni, Serbi, Shqipëri dhe përfitimet që kanë në importin e tij.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku tha se shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova përmes një letre ka kundërshtuar qeverinë në iniciativën dhe se ka kërkuar që marrëveshja me MSA-në të ketë trajtim më të suksesshëm.

Kurse, anëtari i Komisionit Blerim Kuçi (AAK), tha se BE-ja po tenton që të ndalojë në një masë prodhimin e duhanit në vend, derisa shtoi se me Serbinë dhe shtetet e tjera në rajon nuk ndodhë një gjë e tillë.

“Ndikimi i Apostolovës ka interes që duhani që vjen prej BE-së të shitet në Kosovë sa më shumë. Ne me prodhim e ndalim pak këtë vrull. Serbisë nuk i është ndaluar kjo çështje. Neve po duan me na ndal. Kjo nuk do të ndikojë në liberalizimin e vizave, pasi ajo është çështje politike”, tha Kuçi.

Ndërkaq, nënkryetarja e Komisionit, Safete Hadërgjonaj (PDK), ka propozuar që vendimi i Qeverisë për ndryshimin e normës së tatimit të akcizës, duhet të shqyrtohet në komision vetëm pasi ekzekutivi të konsultohet me përfaqësues të BE-së. Mirëpo, propozimi i saj nuk morri votat e nevojshme të anëtarëve.

Në anën tjetër, anëtari i Komisionit Dardan Molliqaj (PSD), tha se e përkrahë në parim vendimin e Qeverisë.

“Ka konsensus në këtë pikë, por edhe ekzistojnë edhe dallimet në dy pika: rruga që është zgjedhur dhe mungesa e qeverisë që nuk e ka negociuar këtë çështje me MSA-në”, shtoi Molliqaj.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, kaloi në pako edhe projektligjet e tjera sipas rendit të ditës.