Objekti i Komunës së Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Rritet numri i ish-zyrtarëve të Komunës së Gjakovës nën aktakuzë

Përveç ministrit aktual të Infrastrukturës, Pal Lekaj (i cili ishte kryetar i Komunës së Gjakovës) dhe ish-drejtorit për Bujqësi, Ismet Isufi, aktakuzë është ngritur edhe ndaj pes personave të tjerë.

Të pandehurit Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi do të përballen me akuzat e Prokurorisë Speciale në Gjykatën Themelore të Gjakovës për dy vepra penale.

Prokuroria pretendon se të pandehurit e lartëcekur duke qenë në cilësinë e personave zyrtarë për mbikëqyrjen e shpërndarjes së subvencioneve në periudhën kohore 2008-2012, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë përvetësuar pasurinë, e cila u ishte besuar për ta mbikëqyrur sipas pozitës zyrtare të cilën e kanë poseduar.

Sipas aktakuzës, të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikmëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786.00 euro.

Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, po ashtu edhe i pandehuri Veli Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre.

I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezentuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, repektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë prej 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime ka kryer veprën penale mashtrim lidhur me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Pavarësisht se dëmi është shumë më i madh, për shkak të numrit të madh të fermerëve që ka qenë e pamundur të intervistohen, nuk ka qenë e mundur të përcaktohet shuma më e madhe e dëmit.

Me këtë aktakuzë rritet numri i të akuzuarve në radhët e ish-zyrtarëve të Komunës së Gjakovës.

Pritet që ndaj të njëjtëve të fillojë procedura e gjykimit.