Lansimi i raportit të UNDP-së - Foto: KALLXO.com

Rritet Kënaqshmëria e Qytetarëve për Performancën e Institucioneve

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim ka lansuar raportin e Pulsit Publik XIII.

Sipas raportit, ka një ngritje të përgjithshme të kënaqshmërisë së qytetarëve me performancën e institucioneve.

Atdhe Hetemi, nga UNDP, tha se anketa e fundi e bërë në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit 2017, tregon për një ngritje të përgjithshme të kënaqshmërisë së qytetarëve me performancën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative, gjyqësore por edhe institucionin e presidentit.

“Të dhënat e fundit tregojnë se 42 për qind e kosovarëve janë të kënaqur me performancën e kryeministrit. Kjo rritje vlen të theksohet se është më e larta që nga nëntori i viti 2014”, tha ai.

Sipas raportit, niveli i përgjithshëm i kënaqshmërisë me orientimin politik të Kosovës mbetet i ulët.

Anketimi i tetorit 2017 tregon rritje të moderuar, n[ 14 për qind krahasuar me 8 për qind në tetor 2016.

Njëjtë ngritjen e perceptimit e kemi edhe me parlamentin, folësin e parlamentit, presidentin, gjykatat dhe zyrën e prokurorit, theksoi Hetemi.

Shumica e këtyre institucioneve sipas Hetemit, me përjashtim të presidentit, e kanë pësuar në këtë anketë ngritjen më të madhe të kënaqshmërisë që nga nëntori i vitit 2014.

Këtë ngritje kaq të madhe Hetemi e arsyeton me zgjedhjet që kanë qenë edhe ato qendrore edhe lokale.

Anketa sipas tij është bërë pak pas zgjedhjeve qendrore dhe pak para zgjedhjeve lokale.

Më së paku të korruptuar sipas kësaj ankete mbesin policia, organizatat jo qeveritare dhe bankat.

Gjithashtu, nëpërmjet anketës së Pulsit Publik, qytetarëve u është kërkuar të identifikojnë problemet kryesore me të cilat po përballet sot Kosova.

Ndër të tjera, qytetarët raportuan papunësinë 40 për qind në krahasim me 48 për qind në tetor 2016, korrupsionin 17 për qind në krahasim me 7 për qind në tetor 2016 dhe varfërinë 9 për qind në krahasim me 21 për qind në tetor 2016 si problemet kryesore që ndikojnë në mirëqenien e tyre sociale.

Sipas Hetemit, një numër i madh i respondentëve apo 36 për qind janë të gatshëm të participojnë në protesta që do të mbaheshin për arsye politike.

Problemet më të mëdha që i ka Kosova sipas përceptimit të qytetarëve për momentin sipas Hetemit mbeten socio-ekonomia, papunësia, korrupsioni, varfëria, krimi i organizuar dhe shërbimet shëndetësore.

Sipas raportit vetëm 20 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se mund të punësohesh me meritokraci.