Ujësjellësi Rajonal në Mitrovicë. Foto: Kallxo.com
Rriten borxhet e komunave veriore ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se komunat veriore i kanë rreth 13 milionë euro borxhe kompanisë rajonale të ujësjellësit.
Pas një takimi të zhvilluar të hënën mes nënkryetarit të komunës së Mitrovicës Faruk Mujka dhe drejtorit të Kompanisë Rajonale “ Ujësjellësi “Sami Miftari, ky i fundit e ka njoftuar nënkryetarin lidhur me gjendjen aktuale në këtë kompani dhe mundësitë e përmirësimit të saj.
Drejtori Miftari ka thënë se ka probleme që po e përcjellin kompaninë në realizimin e projekteve për furnizimin me ujë.
Sipas të njëjtit, fshatrat që po kanë probleme për furnizimin me ujë për pije janë fshatrat Koshtovë, Vërrnicë dhe Çabër.
Nënkryetari Mujka i tha drejtorit Miftari se Komuna i ka mbështetur dhe do t’i mbështetë fuqishëm këto projekte, prandaj “do të jetë shumë e përkushtuar që nga buxheti vetjak dhe në mënyra të ndryshme, përmes gjetjes së donacioneve, të sigurohen mjete të mjaftueshme materiale për përfundimin e tyre”.
Po ashtu është biseduar edhe për borxhet që qytetarët e veriut të Mitrovicës, përkatësisht komunat veriore që administrohen nga serbët, i kanë Kompanisë Rajonale “Ujësjellësi”.
Sipas njoftimit këto borxhe po shtohen për çdo ditë dhe aktualisht kanë arritur shumën prej 13 milionë euro, për çka kompania paguan rregullisht TVSH-në, gjë që e rëndon akoma gjendjen e saj financiare.
Në takim ëhstë konstatuar se është i nevojshëm angazhimi maksimal i të gjitha niveleve për zgjidhjen e këtij problemi.
Drejtori Miftari po ashtu ka njoftuar edhe për ecurinë e punimeve në realizimin e projektit të përbashkët me LUX-DEV-in dhe për kërkesën e bërë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për mbështetje financiar për ndërrimin e gypave prej azbestit në rrjetin e ujësjellësit në qytet.