RrGK dënon shqiptimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit për dhunim dhe trafikim

Rrjeti i Grave të Kosovës, ka reaguar lidhur me masën e shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda kundrejt te dyshuarit për veprën penale trafikim me njerëz, e kryer në vitin 2012 në komunën e Istogut.

“RrGK shprehë indinjim të thellë kundrejt një mase të tillë, duke e konsideruar jo adekuat vendimin e gjykatës ndaj të dyshuarit Q.A dhe bashkëautorëve të tij, për veprën e raportuar. Sipas Nenit 183 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet kur ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së te pandehurit, masat më të buta për sigurimin e pranisë së një personi të tillë dhe parandalimin e përsëritjes së veprës penale janë të pamjaftueshme”, thuhet në reagim.

RrGK insiston që masa që do duhej të ishte shqiptuar menjëherë ka qenë paraburgimi, duke pasur parasysh se i pandehuri Q.A ka refuzuar disa herë të marrë pjesë në shqyrtime gjyqësore me arsyetimin se gjendet në botën e jashtme.

Sipas tyre, ai është sjellë në procedure gjyqësore me anë të lëshimit të letër rreshtimit vendor nga autoritetet Kosovare.

“Gjithashtu, Neni 187, Paragrafi 1.2.3. thekson se paraburgimi mund të shqiptohet edhe në rastet kur: ‘Pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej’”, thuhet më tej në reagim.

RrGK shpreh shqetësimin se një kulturë e tillë e trajtimit jo të denjë të rasteve të dyshuara të trafikimit njerëzor është një inkurajim i mëtutjeshëm për autorët e këtyre veprave penale.

Kjo sepse siç theksohet në komunikatë, ata nuk po marrin ndëshkimin meritor në përputhshmëri me masat e parapara ligjore.

Rrjeti i Grave ka apeluar te Gjykata e Apelit të shpallë masën e paraburgimit, deri në shqyrtimin final dhe zbardhjen e rastit.

Gjykata në Pejë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh personit me inicialet Q.A., i dyshuar për trafikim me njerëz.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Pejës, i pandehuri gjatë muajve gusht – shtator 2012, në Banjë të Istogut, në bashkëveprim me persona të tjerë ka trafikuar viktimën A.S.Gjykata thotë se i pandehuri paraprakisht e kishte strehuar viktimën në katin e dytë të furrës së tij dhe kishte kryer marrëdhënie seksuale me viktimën pa vullnetin e saj për tre ditë.

Më pas, sipas gjykatës, ai e kishte thirrur një person tjetër i cili e kishte marrë viktimën me automjet dhe për këtë shërbim ia kishte dhënë 50 euro, e i cili pastaj e kishte dërguar viktimën në Prizren dhe kishte kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

Me këto veprime i pandehuri Q.A dyshohet se ka kryer veprën penale trafikim me njerëz.

“Gjykata në këtë çështje juridiko penale, ka caktuar disa herë shqyrtim gjyqësor ku të bashkëpandehurit të tjerë kanë ardhur rregullisht, mirëpo i pandehuri Q.A nuk ka ardhur asnjëherë me arsyetim se i njëjti gjendet në botën e jashtme andaj, gjykata për të njëjtin ka lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij në gjykatë, pastaj ka lëshuar letër rreshtim vendor, si dhe letër rreshtim ndërkombëtar, me ç ‘rast me datë 14.08.2019, i njëjti nga pjesëtarët e Stacionit Policor në Pejë është sjellë në gjykatë sipas letër rreshtimit ndërkombëtar dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës se Pejës.

Ndaj vendimit të Gjykatës në Pejë, mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit.

I dyshuari arrestohet, Gjykata tregon si ndodhi dhunimi në katin e dytë të furrës