Foto: Kallxo.com

Rrethanat e sulmit me armë ndaj policit Avni Berisha- Tarkani

Arsim Elshani, i akuzuar për tentim vrasje ndaj policit Avni Berisha, i njohur në publik si “Tarkani, është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.

Në seanca fillestare të mbajtur sot, kur u pyet nga gjykatësja Suzana Çerkini rreth akuzave, Elshani u deklarua i pafajshëm.

“Nuk e pranoj fajësinë”, tha shkurt i akuzuari Elshani.

Më pas gjykatësja Suzana Çerkini e njoftoi të akuzuarin se ka të drejtë që në afat prej 30 ditëve të parashtrojë kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Seanca fillestare e paraparë të mbahej me datën 3 qershor ishte shtyrë me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Arbër Shala, për shkak se ai kishte deklaruar se nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës. Ndërsa gjatë seancës së sotme i njëjti deklaroi se është i pajisur me të gjitha shkresat lëndës.

Aktakuza e Prokurorisë pretendon se i akuzuari Arsim Elshani, më 24 tetor 2018, rreth mesnatës, në rrugën “Bashkim Fehmiu” në Prishtinë përderisa ka qenë duke i dëmtuar kamerat e sigurisë që gjendeshin në garazhin e objektit “Arbëria com”, ishte vërejtur nga i dëmtuari Avni Berisha dhe pasi që i është prezantuar se është zyrtar policor e ka urdhëruar që të ndalej.

Por, sipas aktakuzës, pasi që “Tarkani” e kishte urdhëruar të ndalej, Arsim Elshani e kishte nxjerrë armën dhe nga distanca prej afro 8 metrash kishte shtënë dy herë në drejtim të “Tarkanit”.

Aktakuza përshkruan se në shenjë vetëmbrojtjeje edhe “Tarkani” më pas kishte shtënë tri herë me armën zyrtare në drejtim të të akuzuarit.

Por, sipas Prokurorisë, ky nuk është sulmi i vetëm që i akuzuari e ka kryer në drejtim të Avni Berishës – “Tarkanit”.

Më tej aktakuza sqaron se si edhe më 2 nëntor 2018, rreth mbrëmjes, në rrugën “Vicianum” në Prishtinë, posa i dëmtuari Avni Berisha kishte dalë nga banesa e tij e kishte parë dhe më pas identifikuar të akuzuarin Arsim Elshanin teksa ishte duke ecur në trotuar dhe më pas e kishte urdhëruar të ndalonte.

Mirëpo Prokuroria pretendon se i akuzuari as kësaj here nuk është ndalur dhe “me dashje që ta privojë nga jeta “Tarkanin”, nga distanca 7-8 metra ka shtënë me revolen e njëjtë në drejtim të policit, e pastaj në ikje e sipër ka shtënë edhe njëherë në drejtim të tij nga distanca prej 20 metrash duke rrezikuar edhe persona të tjerë të pranishëm në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë”.

Me veprimet e lartpërmendura, Prokuroria e Prishtinës të akuzuarit i vë në barrë veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.