Rreth 65 për qind e maturantëve e kalojnë testin - VIDEO

Rreth 27 mijë maturantë sot me emocione të shumta kanë mësuar rezultatet e Testit të Maturës.

Njëri prej tyre është edhe Leugzim Fejziu, i cili thotë se pret që të regjistrohet në fakultet.

“Si të gjithë nxënësit dhe studentët e tjerë edhe unë pres me u regjistru në një fakultet më të mirin, po tash të shohim. Kam marrë 130 pikë”, tha ai.

Edhe nxënësi Jon Dërguti thotë se do të vazhdojë studimet universitare.

“Këto pikë na frymëzojnë neve më shumë, që të shkojmë në fakultete sa më të mira, që me pas një të ardhme sa më të ndritshme dhe të kemi mundësi të konkurrojmë në fakultetet më të mira”, thotë Dërguti.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha para mediave se 64.64 për qind maturantë e kanë kaluar testin këtë vit.

“Këtë vit kemi edhe rezultate më të ulëta në krahasim me vitin e kaluar, nga ana e kalueshmërisë, mësimi në gjuhën shqipe është 64.4% kalueshmëri, boshnjake 85.43% dhe në turke 69.47%.  Në total kalueshmëria këtë vit ka qenë 64.64%”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se nga testi janë larguar 270 nxënës, kurse për 8 administrues janë marrë masa ndëshkuese.