Diplomimi i 50 studentëve në Departamentin e Gazetarisë, Foto: RTV21

Rreth 50 studentë diplomuan në Depertamentin e Gazetarisë

Rreth 50 studentë kanë diplomuar sot në Depertamentin e Gazetarisë, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Shumica dërmuese e këtyre të sapodiplomuarve kishin  sukses të shkëlqyeshëm për tri vite studimi dhe kanë mbledhur kredit e nevojshme për të përfunduar këtë cikël.

Një numër i konsiderushëm i tyre tani më kanë gjetur edhe vendin e punës në media të ndryshme të vendit dhe në pozita të cilat lidhen me media. Me rastin e diplomimit të këtyre studentëve, para të pranishmëve dhe para të sapodiplomuarve në një cermoni mbajti një fjalë rasti, dekania e Fakultetit, Lindita Rugova e cila u shpreh e lumtur dhe krenare me këta studentë dhe me departamentin në përgjithësi.

Për një fjalë rasti para të prenishmeve doli edhe shefi i këtij depertamenti, profesori universitar, Milazim Krasniqi.

“Kjo vërtet është ditë e mirë për të gjithë ne, pasi po e kurorëzojmë me sukses të plotë një punë trevjeçare të përbashkët, e cila na ka fisnikëruar dhe na ka plotësuar me dije e vlera të gjithëve. Për këto tre vite ne kemi bashkëvepruar, në një përpjekje jo të lehtë, për t’i bërë sa më reale ëndrrat tuaja, pra, që të bëheni gazetarë profesionistë dhe qytetarë të ndershëm e të dobishëm të këtij vendi”, ka thënë Krasniqi ndër të tjera në fjalën e tij.

“Edhe pse kemi punuar në kushte jo të mira, në salla pa ngrohje dimrit e me vapë verës, pa pastërtinë elementare në salla, në korridore e në VC, pa libra në gjuhën e studimit në disa lëndë, pa zërim në salla e pa mjete konkretizimi, pa mundësi mobiliteti, për shkak të izolimit të vendit tonë, prapa ia kemi dalë me sukses”, ka shtuar ai.

Krasniqi në fjalën e tij po ashtu u është drejtuar të diplomuarve duke u thënë se marrja e diplomës në këtë universitet dhe në këtë profesion, do t’ua shtojë më shumë përgjegjësinë akademike, profesionale dhe qytetare.

“Tash do t’i ekspozoheni testit të vështirë në tregun e ashpër të punës, që ta ushtroni profesionit e gazetarit me etikë të lartë profesionale, etike e ligjore, apo do të rrëshkisni drejt ambicieve egoiste, të afirmimit dhe përfitimit, duke abuzuar profesionin. Jo të gjithë e kalojnë me sukses këtë test, prandaj përpiquni të jeni në grupin e atyre që e ushtrojnë me nder këtë profesion, për të cilin Gabriel Marsia Markesi, siç e dini, pati thënë se është profesioni më i bukur në botë”, theksoi profesor Krasniqi.

E lumtur dhe krenare u shpreh edhe profesoresha e këtij departamenti Remzie Shahni – Hoxhaj e cila moderoi këtë ceremoni ndërsa sqaroi se pas diplomimit studentët e gazetarisë mund të angazhohen në shumë punë që lidhen me fushën e medias dhe të komunikimit, e jo domosdoshmërish secili duhet të punojë si gazetar.

Ndryshe, shefi i Degës së Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi në një nga prononcimet tij më herët kishte treguar se punësimi i të diplomuarve në këtë departament arrin në 70% të të diplomuarve në bachelor, ndërsa në master 100%.

“Nuk e di a ka ndonjë departament në UP shkallë më të lartë punësimi!”, ishte shprehur profesori Krasniqi.

Përkundër kësaj shkalle të lartë të punësimit të diplomuarve Agjencia e Akreditimit në verën e 2017-ës ka pezulluar programin master dhe të doktoratës të Degës së Gazetarisë në UP. Atëherë nga dega e gazetarisë këtë vendim e kanë quajtur të padrejtë dhe burokratik./21Media