Rreth 5.5 milionë euro mbështetje nga Gjermania

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka nënshkruar dy marrëveshje për projektet “Programi i Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta” dhe ”Shërbime Profesionale të Pranuesit në Kuadrin e Programit II të Menaxhimit të Mbeturinave”, në vlerë prej 5.46 milionë euro.

Marrëveshjet janë nënshkruar nga Ministri Hamza dhe  drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Komunale për Europën Juglindore dhe Turqi në organizatën gjermane KfW, Kirk Mildner.

Sipas Hamzës, marrëveshjet që u nënshkruan sot e kanë vlerën edhe më të madhe sepse janë kontribut financiar pa kthim.

“Janë para të taksapaguesve gjerman që janë të nënshkruara dhe të dedikuara për përmirësimin e ambientit në Kosovë”, tha ai.

“Totali i marrëveshjeve është  5.46 milionë, marrëveshja e parë prej 1.46 milion euro ka të bëjë me përkrahjen e depove nacionale të mbeturinave ndërsa pjesa e dytë prej 4 milionëve ka të bëjë me përkrahjen e këtij sektori në nivelin komunal, me pajisje të llojeve të ndryshme, makineri, kontejnerë dhe pajisje të tjera të ngjashme”, tha ministri Hamza.

Ndër të tjera, ai tha se Gjermania është një prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë.

“Ka investuar në energji, në trajtimin e ujërave, në sektorin e arsimit, në sektorin financiar dhe tani ne nënshkruam edhe dy marrëveshje që kanë të bëjnë me një fushë jashtëzakonisht të rëndësishme, që është ambienti dhe pajtohemi që ka nevojë për shumë investime në ambient dhe është  top prioritet për periudhën  e ardhshme në Kosovë”, u shpreh ai.

Ministri Hamza falënderoi institucionet e Gjermanisë dhe taksapaguesit gjerman për kontributin e vazhdueshëm në përkrahjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, ai njoftoi për shumën e grandeve të përfituara nga fillimi i marrjes së mandatit si ministër.

“Nga fillimi i mandatit tim janë nënshkruar 72.4 milionë grante dhe me marrëveshjet e sotme , kjo arrin shumën prej 78 milion eurosh”, përfundoi ministri Hamza.

Ndërsa Kirk Mildner arsyetoi investimin e qeverisë gjermane në këtë sektor.

“Ne gjithmonë shikojmë kah përballueshmëria sociale e shërbimeve të investimeve. Investimet e tilla kanë nevojë të kenë shuma të larta të financimit të granteve, përndryshe ato nuk mund të operojnë në mënyrë të qëndrueshme në një mjedis të tillë ekonomik me mundësitë sociale dhe financiare të qytetarëve të Kosovës. Kjo është arsyeja pse qeveria ime ofron grante për këtë sektor të veçantë”, tha ai.