Rreth 264 milionë euro deficiti tregtar në muajin korrik

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për -11.0 për qind në muajin korrik të sivjetmë, në raport me muajin e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 263.7 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 296.4 milionë eurosh, sa ishte në vitin 2019. Në këtë muaj, eksporti mbuloi importin me 13.9 për qind. Në raport me vendet e Bashkimit Evropianë, Gjermania mbetet partneri besnik tregtar i Kosovës ndërsa Shqipëria nga vendet e CEFTA-së.

Në Kosovë erdhën mbi 306 milionë euro mallra e dolën vetëm 42.6 milionë euro mallra

“Eksporti i mallrave në muajin korrik 2020 kishte vlerën 42.6 milionë euro, ndërsa importi 306.3 milionë euro, që është një rritje prej 5.4% për eksport dhe një rënie prej (-9.1%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, thuhet në komunikatë.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 32.6 për qind të eksporteve përbëhen nga metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.2 për qind të eksporteve përbëhen nga plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10.2 për qind të eksporteve përbëhen nga artikujt e ndryshëm të prodhuar; 9.8 për qind të eksporteve përbëhen nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.4 për qind të eksporteve përbëhen nga produktet bimore; 4.8 për qind të eksporteve përbëhen nga produktet minerale; 3.8 për qind të eksporteve përbëhen nga tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.5 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.6 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 9.0 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 8.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.9 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Drejt Bashkimit Evropiane rritet eksporti e bie importi

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 18.6 milionë euro, ose rreth 43.8 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 43.7 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Italia 12.4 për qind, Gjermania 8.9 përqind, Austria 6.0 përqind, Holanda 3.8 për qind, etj.

U importuan mbi 141 milionë euro mallra nga Bashkimi Europianë me partner kryeso Gjermaninë.

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 141.4 milionë Euro, ose 46.2% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 13.3%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.0%), Italia (5.8%), Greqia (4.0%), Polonia (3.1%),  etj.”, thuhet në komunikatë.

Anëtari i CEFTA-së, Shqipëria, partneri kryesor tregtar i Kosovës në muajin korrik

Në muajin korrik 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 17.0 milionë euro, ose 40.0 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2.2 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria 17.5 për qind, Maqedonia 9.7 për qind, Serbia 8.9 për qind, dhe Mali i Zi 2.1 për qind.

Importet drejt Kosovës nga vendet e CEFTA-së, kishin vlerën e 65 milionë eurove me partner kryesor Shqipërinë

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin korrik 2020, arritën në 65.0 milionë euro, ose 21.2% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 32.0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.6%), Maqedonia (6.3%), dhe Serbia (6.2%)., thotë komunikata.

Tutje thuhet se eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 6.8 milionë euro, ose 16.1 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra 7.8 për qind.

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 99.8 milionë Euro, ose 32.6 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 13.2 për qind dhe Kina 9.6 për qind.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin korrik 2020.