Rreshteri Nuredin Begolli në gjykatë | Foto: KALLXO.com
Rreshteri Deklaron Pafajësinë për Keqpërdorim të Informatës
Rreshteri policor Nuredin Begolli u deklarua i pafajshëm në seancën fillestare të gjykimit ndaj tij për keqpërdorim të informatës zyrtare.
Në këtë seancë prokurori i shtetit lexoi aktakuzën, ndërsa rreshteri Begolli tha se në asnjë rrethanë nuk ka bërë keqpërdorim të informatës zyrtare.
Hajrip Krasniqi, avokati i Nuredin Begollit tregoi se do ta kundërshtojë aktakuzën, ndërsa tha se për mungesë të disa informacioneve nuk e ka të qartë a ka elemente penale për të mbrojturin e tij.
“Kundërshtojmë aktakuzën dhe provat të cilat i janë bashkangjitur kësaj aktakuze, mirëpo mbrojtja nuk do të jetë në pozicion të mirë, ngase i mungojnë disa informacione dhe atë në vazhdimin e procedurës do të duhej të kërkohet dosja penale e Deli Hoxhës, për të ditur në fakt, a ka pasur apo nuk ka pasur dosje penale,” tha Krasniqi.
Avokati Krasniqi tregoi se do të ftojë dikë nga policia si dëshmitar.
“Gjithashtu në seancat e radhës do të propozojmë që të thirret zyrtari i policisë së Kosovës, për t’u sqaruar lidhur me të kuptuarit e informacionit zyrtar, me qëllim që në këtë çështje penale të kemi një interpretim të drejtë të kuptimeve dhe nocioneve,” tha Krasniqi.
Seanca e ardhshme u caktua me 17 janar, ndërsa në të pritet të vendoset mbi kërkesat për kundërshtim të aktakuzës.
Rreshteri Nuredin Begolli akuzohet nga Prokuroria e Shtetit se në tetor të vitit 2015 duke punuar në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren ku kishte qasje në informacione, keqpërdor informatën zyrtare që personi tjetër të përfitojë.
Sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të kërkesës së qytetares A.K. gjatë bisedave telefonike nëpërmjet rrjetit viber e njofton atë për numrin e veprave penale dhe të kundërvajtjes të kryera nga Deli Hoxha.
Këto informacione që konsiderohen zyrtare më pas kanë ndikuar në prishjen e raporteve në mes të të dëmtuarës dhe qytetares A.K.