Foto: Ministria e Infrastrukturës

Rrëshqet Autobusi-Haradinaj Thotë se Nxënësit Janë Evakuuar

Ramush Haradinaj sqaroi sot me një postim në facebook, situatën e krijuar me një autobus me nxënës në Brezovicë që kishjte rrëshqitur për shkak të reshjeve të mëdha të borës.

“Sot me të marrë lajmin se në Brezovicë një autobus me nxënës kishte rrëshqitur e disa autobus të tjerë ishin bllokuar nga te reshurat e mëdha të borës, u kam bërë thirrje për të intervenuar të gjithë mekanizmave të sigurisë së vendit”, shkroi Haradinaj.

Kryeministri më tutje tregoi se nxënësit janë evakuuar.

“Njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me Policinē e Kosovës, kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë evakuuar nxënësit, si dhe kanë debllokuar rrugën”, shkroi Haradinaj.

Ai falënderoi ata që evakuuan nxënësit.

“Të gjithë ata që morën pjesë në këtë operacion, i falënderoj për gatishmërinë dhe i përgëzoj për profesionalizmin e lartë”, shkroi Haradinaj.

Për situatën e sotme të krijuar në Brezovicë informata dha edhe ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj në faqen e internetit të ministrisë që drejton.

“Një rast specifik është Brezovica, për shkak të makinave që janë parkuar në mënyrë të parregullt, kompania e mirëmbajtjes nuk ka arritur me kohë të bëjë pastrimin e rrugës dhe si rrjedhojë e kësaj janë bllokuar nxënës të cilët kanë qenë në pikën turistike të Brezovicës”, bëri të ditur Lekaj.

Ministri siguroi të bllokuarit në Brezovicë dhe familjarët e tyre që do të angazhohet që situata të kalojë pa pasoja për njerëzit.

“Me këtë rast dëshirojë t’i siguroj të gjithë familjarët e nxënësve që jam në kontakt personalisht me të gjithë faktorët për të bërë të mundur që të lëvizin autobusët dhe automjetet tjera në drejtimet e tyre pa pengesa e pa u rrezikuar jeta e askujt”, tha Lekaj.