Prizren (Ilustrim)

Rrënohet shtëpia me vlera historike në Prizren, reagon ‘Ec Ma Ndryshe’

Organizata ‘Ec ma ndryshme’, ka reaguar ndaj rrënimit të një prej shtëpive me vlera historike në qytetit e Prizrenit.

“Ec ma ndryshe”, e cila është shumë aktive në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, ka reaguar gjatët ditës së sotme  përmes një njoftimi sipas së cilës, rrënimi i shtëpisë me vlerë historike në rrugën “Aleksandër Fleming” është një tjetër humbje e vlerave të trashëgimisë.

Sipas “Ec ma ndryshe” rrënimi i kësaj shtëpia është bërë pa lejen e autoriteteve përkatëse.

“Duke e parë nga afër shkatërrimin e shumë objekteve me vlera  historike, EC  edhe një herë bën thirrje për ruajtjen e tyre, ndërsa kërkon nga institucionet përkatëse që shkatërruesit e këtyre vlerave t’i paraqesë tek organet e rendit”, thuhet në njoftimin e EC-it.

Rrënimi i shtëpisë pa leje paraprake nga autoritete në rrugën “Aleksandër Fleming” është konfirmuar edhe nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren.

Foto: Ec Ma Ndryshe/Facebook

Zyrtarë të QRTK në Prizren kanë pohuar për Kallxo.com se shtëpia e rrënuar në rrugën “Aleksandër Flemingu” gjendej brenda Qendrës Historike të Prizrenit, e cila është e mbrojtur me ligjin 04/L-066.

Fitore Bytyci, drejtoreshë e QRTK në Prizren ka pohuar për Kallxo.com se pronari i shtëpisë përmes DUPH i është drejtuar Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore me kërkesën për ndërtim të ri në parcelën ku ndodhej shtëpia e vjetër.

Foto: Ec Ma Ndryshe/Facebook

“Bashkëpunëtorët e QRTK-së pas daljes në terren kanë konstatuar se në parcelën ku është kërkuar të ndërtohet objekt i ri gjendet një shtëpi e vjetër, andaj bazuar në këtë QRTK ka refuzuar kërkesën për ndërtim të objektit – shtëpi individuale për banim me lokal, pasi që ndërtimi i objektit të ri nënkupton rrënimin e shtëpisë së vjetër tradicionale”, ka pohuar ajo.

Sipas saj, pala është njoftuar se ndërhyrjet e lejuara në këtë kategori objektesh janë aplikimet plotësuese sikurse: restaurimi dhe renovimi, të cilat mundësojnë të ruajnë dhe mbrojnë karakterin e arkitekturës tradicionale.