Vërtetimi i licensës për Krypometrin nga Rrjeti Ndërkombëtar për Verifikim të Fakteve (IFCN). Screenshot

Rrenat e Kryetarëve të Komunave për Emërimin e Grave në Krye të Drejtorive

Disa muaj pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, kryetarët tashmë të zgjedhur të komunave të Kosovës gati kanë përfunduar kompletimin e kabinetit duke emëruar drejtorë në dikastere të ndryshme komunale.

Megjithatë, edhe në këto zgjedhje barazia gjinore në udhëheqje që parashihet edhe me ligj nuk është respektuar nga shumica e këtyre udhëheqësve.

Në debatet komunale të ‘Jeta në Kosovë’, kandidatët për kryetarë të Komunave të Kosovës ishin gojë plotë dhe ‘dorëshlirë’ në premtimet e tyre për emërimin e grave në poste drejtuese.

Mirëpo, me të marrë pozitën e kryetarëve, shumë prej këtyre burrave nuk mbajtën premtimin e tyre publik lidhur me besimin e udhëheqjes së drejtorive të komunave nga gratë.

Që nga fundi i muajit dhjetor dhe deri në fund të janarit KRYPOMETRI, një verifikues faktesh i certifikuar faktesh i njohur ndërkombëtarisht, ka detektuar gënjeshtrat e bëra nga këta udhëheqës komunalë.

Krypometri është verifikuesi i parë dhe i vetmi i fakteve në Kosovë, i cili u bë pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar për Vërtetimin e Fakteve (IFCN).

Deri në fund të muajit janar KRYPOMETRI i ka gjetur 8 rrena nga kryetarët e komunave dhe vetëm një mbajtës të fjalës.

Disa nga Kryetarët Komunalë që nuk mbajtën premtimet e tyre për emërimin e drejtoreshave gra, përfshijnë Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri e të tjerë.

Ndërsa deri në atë kohë i vetmi që mbajti premtimin për numrin e grave të emëruara në krye të drejtorive ishte Ramiz Lladrovci, Kryetari i Drenasit.

Krypometri ka vazhduar matjen e deklaratave të zyrtarëve publikë edhe këtë vit, duke përfshirë Kryetarë të tjerë të Komunave lidhur me emërimin e drejtoreshave dhe rrenat apo të vërtetat e tyre mund ti gjeni këtu.