Rrëfimi për Kosovaren që u martua 3 herë në Siri

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetua intervista ekskluzive me Koordinatorin Nacional Kundër Ekstremizmit dhe Terrorizmit, Fatos Makolli.

Makolli tregoi planin e institucioneve të Kosovës për rikthimin e 110 shtetasve kosovar nga zonat e konfliktit në Siri.

I njëjti gjithashtu ka dhënë përgjigje në shumë dilema të ngritura pas rikthimit të 110 kosovarëve.

Në anën tjetër avokatja e njërës grua të rikthyer në Kosovë, e cila gjendet në arrest shtëpiak ka treguar për Drejtësia në Kosovë gjendjen e klientes së saj.

Fatlume Korça- Sekiraqa ka thënë se klientja e saj ka shkuar në Siri me kërkesë të burrit të saj.

“Ka shku me kërkesën e burrit të saj dhe siç do e re, si çdo bashkëshorte e ka pasu bashkëshortin e saj nuk ka shku me asnjë qëllim tjetër por thjesht të ketë një jetë më të mirë dhe të praktikoj fenë e saj, fenë islame më mirë. Siç dihet dhe siç e ka cekur ajo është paragjykuar në Kosovë në çdo aktivitet që e ka ndërmarrë ka qenë e paragjykuar për shkak të mbulesës që e posedon ka pasur shumë vështirësi që ta zhvillojë një jetë normale por edhe pasi që burri i saj ishte atje ka ndërmarrë këtë iniciativë”, tha avokatja Korça.

Sipas saj, klinentja e saj ka shkuar në Siri në moshën 19 vjeçare.

“Nuk e di saktë kur ka shku burri i saj por e mbrojtura ime ka shkuar në vitin 2015, ka udhëtuar e vetme si një 19 vjeçare dhe pastaj dihen kushtet, dhe e ka cekur se edhe po të donte nuk ka pasur mundësi të kthehej në Kosovë”, shtoi ajo.

Avokatja Korça- Sekiraqa tregoi se klientja e saj ishte martuar tri herë në Siri.

“Aq sa kam dëgjuar janë martuar me burrin e dytë ose me burrin e tretë vetëm pasi që burri i parë është vrarë në front lufte, dhe aq sa kam dëgjuar prej tyre, nëse të është vrarë burri në front, gratë është dashtë të shkojnë në një kamp ku kanë qenë vetëm gratë dhe fëmijët ku kanë qenë kushtet jashtëzakonisht të rënda. Dhe secila prej tyre në një farë mënyre kanë qenë të detyruara të fillojnë jetën me një martesë të dytë. Nuk është që kanë pasur dëshirë por ka qenë situate e luftës e atillë e cila i ka detyru të ndërmarrin veprime të tilla. Kanë qenë të detyruara nga situata e tillë, nga situata sepse po të mos martoheshin do të detyroheshin të jetonin një jetë shumë të rëndë, ndoshta fëmijët t`u vdisnin urie por jo të detyruara nga dikush”, tha avokatja.

Javën e kaluar në një aksion i cili mund të konsiderohet si një ndër aksionet më të mëdha antiterror në Kosovë, janë rikthyer 110 kosovarë të cilët gjendeshin në zonat e konfliktit në Siri.

4 burra një nga ta i mitur, 32 gra e 74 fëmijë janë rikthyer me një aeroplan mesnatën e së premtes dhe të së shtunës.