Seanca për vdekjen e 3 vjeçares nga shembja e shtëpisë - FOTO KALLXO

Rrëfimi me lot në sy i nënës së 3 vjeçares Xheneta Gashi para Gjykatës

Më 6 qershor të vitit 2016, Xheneta po luante në rrugë dhe nga shembja e shtëpisë afër vendbanimit të saj ajo pësoi plagë të rënda në kokë dhe në trup, të cilat i morën jetën.

Prokuroria Themelore e Prizrenit ngriti aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Emergjencave dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit, Bedrija Ejupagiç, rreth rastit të vdekjes së Xheneta Gashit nga shembja e një shtëpie në Qendrën Historike në Prizren.

Prokuroria e Prizrenit akuzon Ejupagiçin se në mënyrë indirekte ka shkaktuar vdekjen e saj, duke mos vendosur pajisje mbrojtëse përreth shtëpive që kishin rrezik të shembeshin, raporton KALLXO.com.

https://kallxo.com/prizren-nena-rrefen-se-si-tre-vjecaren-e-mbuloj-muri-i-dheut/

Sipas Prokurorisë, i akuzuari ka kryer veprat penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mos-evitim i rrezikut.

Sot është zhvilluar seanca e dytë e gjykimit kryesor, e në këtë seancë ka vazhduar të dëgjohet si dëshmitare e dëmtuara Lirie Gashi, nëna e viktimës 3 vjeçare Xheneta Gashi.

Përkundër që rasti po gjykohet në Departamentin e Përgjithshëm, prokurori Mehdi Sefa, prokuror i krimeve të rënda në fillim të seancës deklaroi se me sugjerimin e kryeprokurorit të Prizrenit Admir Shala, është deleguar në këtë çështje duke marrë parasysh peshën e çështjes dhe ndjeshmërinë e rastit.

Prokurori Mehdi Sefa nga e dëmtuara kërkoi që të sqaronte në detaje rastin e ndodhur me datë 6 qershor 2016, ditën kritike se si erdhi deri te fatkeqësia.

Lirie Gashi para se të fillonte të tregonte për ditën kritike, fillimisht sqaroi se në shtëpinë e vjetër kanë banuar 7 persona, nga ta 4 fëmijë.

“Me datë 6 qershor, u kan pasdite rreth orës 15:30, atë ditë u kanë kohë e vranët edhe ka pas shi, e unë dikur dola me djalin e qikën jashtë, djali e qika filluan me luajt aty në rrugë, e unë aty afër tyne fillova me bisedu me kunatën”, filloi e qetë rrëfimin e saj, Lirie Gashi.

“Dheu i shtëpisë së vjetër filloi të binte nga muri lart, fëmijët t`u e pa rrezikun filluan të largohen nga aty, por Xheneta t`u vrapu i hasi këmba dikund edhe u rrëzu”, tregoi ajo.

“Unë vrapova me kap qikën masi që u rrxu, po taman kur e kam kap në dorë, na ka ra dheu mbi koka mu e asaj, e unë edhe e kam humb vetëdijen pak”, rrëfeu nëna e tre vjeçares së ndjerë.

“Unë shpejt u ktheva në vete, edhe e t`u mundu me u largu nga dheu e pash vajzën e gjakosur”, tregoi Lirie Gashi, nuk i mbante lotët.

“Më falni se s`po muj me fol”, i tha ajo gjyqtares dhe prokurorit, e për pak minuta u ndaloi rrëfimin e saj për ditën kritike.

Lirie Gashi vazhdoi të tregonte se menjëherë pas ngjarjes e kishin dërguar vajzën në emergjencë por pa shpresë, pasi që ajo atje kishte ndërruar jetë.

Lirie Gashi, tha që disa herë u është drejtuar organeve komunale e inspektorateve ku e kanë udhëzuar.

Nëna e viktimës tregoi se kur ka ndodhur një shembje e vogël, e njëjta kishte shkuar në organet komunale në Prizren, e nga të njëjtit kishte marrë premtim se do ta rregullojnë dhe do ta evitonin rrezikun në ato objekte.

“Ata nuk na kanë dhanë naj dokument e naj sen, po në bazë të kërkesës sonë gojore kanë ardhur zyrtarët komunalë të Prizrenit, dhe kanë bërë shikimin në vendin e ngjarjes”, shtoi ajo.

“Më kanë thanë largohu për nja 3 ditë e masandej na ta gjejmë strehimin, e edhe i zgjidhim problemet me këto objekte të vjetra, e unë kam shku për 3 ditë me një shtëpi tjetër me nejtë. Po dikur u detyrova me u kthy prapë qaty se s’kisha ku me jetu tjetër”, shtoi Liria.

Ajo tregoi se pas kthimit në shtëpinë e vjetër më nuk kanë ardhur askush nga zyrtarët komunalë për ta zgjidhur as problemin e banimit as problemin e rrezikut të shembjes nga shtëpitë e vjetra.

“Deri në qershor, ditën kur u shemb shpija, janë kanë vetëm 1 herë, por jo për me i rregullu ato shpija të vjetra, e as me na gjetë vendbanim tjetër, por kanë ardhur disa inspektorë bashkë me dy policë edhe i kanë largu do mbuloja që unë e kunata i kemi vendos aty te muret për mos me rreziku me u rrxu muri. Ka pasur dyer të drurit, do karrige që i kemi pas vendos aty te muri i vjetër”, shtoi ajo.

“Po ata erdhën me i largu ato senet që i patëm vendos na, por nuk na thanë se çka do të bëhet me ne, e unë i luta mos me i largu ato që i kishim vendos aty me kunatën se jemi friku nga shembja e murit. Por inspektorat mu kanë drejtu me fjalë fyese: “Mshele gojën! Unë nuk i ves flliqajkat”, shtoi më tej e ëma e Xhenetës së ndjerë.

E njëjta në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Bedirja Ejupagiç avokatit Fatmir Jëlliq u përgjigj se në shtinë e vjetër të banimit ishin vendosur me kërkesën e Policisë.

“Nuk kemi pasur leje me shkrim nga Policia, po aty jemi vendosur me leje verbale, e policia kanë ardhur me ne kur jemi vendosur në atë shtëpi, sepse ajo kishte qenë shtëpia e vetme e lirë, ku edhe më parë kishin jetuar persona tjerë aty”, tha Lirie Gashi.

Avokati, Fatmir Jëlliqi e pyeti se sa herë kishte shkuar në kuvendin komunal, dhe se a e kishte takuar ndonjëherë këtu të akuzuarin Ejupagiç, apo a ishte kërkuar ndihmë nga ai?

Por, Lirie Gashi tha se nuk ishte takuar atëkohë me të akuzuarin Ejupagiç, pasi që ajo nuk kishte pasur dijeni se kujt duhej t`i drejtohej.

“Te kryetari kemi provu me shku, kunata jeme 2-3 herë ka provu me shku në zyre te ai me taku e me i kërku ndihmë, por e kan përzënë, e kanë nxjerr jashtë”, deklaroi ajo duke iu referuar asaj se asnjëherë nuk janë takuar me zyrtarë të lartë komunal, por vetëm me disa nënpunës tek të cilët i kanë adresuar hallet e tyre.

Lirie Gashi sqaroi se në atë kohë ajo punonte bashkë me nënën e saj dhe kunatën e saj.

“Kemi mbledhur kanaqe në atë kohë, me i mbajt gjallë fëmijët me mbijetu, tha ajo.

“Nëna e kunata delshin ditën punojshin, e unë me nënën kemi dalë natën vonë rreth orës 12, e kaniher mbetshim deri në 4 të mëngjesit t`u punu”, tha ajo kur u pyet se a kanë punuar dhe në çfarë kohe janë larguar nga shtëpia.

I akuzuari Bedrija Ejupagiç nuk kishte pyetje për të dëmtuarën Lirie Gashi.

Nëna e viktimës Xheneta Gashi, Lirie Gashi përfundoi deklarimin e saj si dëshmitare.

Seanca u ndërpre dhe pritet të vazhdojë me datat 20 dhe 21 mars, kur për të dëshmuar do të ftohen inspektorët komunal si dëshmitarë, dhe ish-zyrtarë tjerë komunal të Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bedrija Ejupagiç, në cilësi të personit përgjegjës pranë Komunës së Prizrenit, përkatësisht drejtor i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, nga pakujdesia nuk ka ndërmarrë masat për vendosjen e pajisjeve mbrojtëse përreth shtëpive para shembjes, në rrugën “Marin Barleti” në Prizren për të evituar rrezikun, dhe në këtë mënyrë që me datë 06.06.2016, rreth orës 15:30 minuta, 3 vjeçarja Xheneta Gashi, e lindur me datë 07.08.2012 derisa ishte duke luajtur në rrugë nga shembja e shtëpisë pëson plagë në kokë dhe në trup, dhe nga plagët e marra vdes.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bedrija Ejupagiç me këto veprime ka kryer veprat penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe mos-evitimi i rrezikut.