Afërdita Mikullovci - Kolonele

Rrëfimi i Koloneles Mikullovci për përvojën gati 20 vjeçare në Policinë e Kosovës - VIDEO

Kolonele Afërdita Mikullovci, është bërë pjesë e Policisë së Kosovës në shtator të vitit 1999.

Mikullovci është njëra nga gratë e cila i takon gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës.

Gjatë karrierës së saj, Mikullovci ka kaluar në pozita të ndryshme drejtuese duke filluar nga Njësia Patrulluese, Njësia e Forenzikës Regjionale, Shefe e Operativës Rajonale, Zëvendësdrejtore i Hetimeve Rajonale, Zëvendësdrejtore Rajonal në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë.

Tani, Kolonele Mikullovci është Drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën Jugore.

Në një intervistë për KALLXO.com, Mikullovci ka treguar se të bëhet pjesë e Policisë së Kosovës nuk ka qenë ëndërr e saj, por kjo ka ndodhur në mënyrë shumë spontane.

“Unë nuk jam prej atyre e kam pas ëndërr gjithë të jem pjesë e policisë, për shkak se shumë nga koleget dhe kolegët e kanë ëndërruar, por unë nuk kam qenë një nga ata. Kam hyrë në polici shumë spontanisht”, tregon Mikullovci.

Mikullovci ka treguar se si është bërë pjesë e Policisë së Kosovës pas kërkesës që ka pasur nga shoqja e saj e bankës.

“Unë e kam një shoqe banke klase njëkohësisht tani edhe kolege, dhe si njëjtë kemi ecur në fushën e policisë, është kolonele Florie Hajra, me të cilën kam qenë në një klasë dhe një bankë në shkollën e mesme. Dhe ajo e ka pasur traditë familjare, pasi që e ka pasur prindin në ish-sistem zyrtar policor. Dhe e ka pasur gjithmonë uniformën ëndërr. Në vitin 1999, pasi që ka përfundu lufta, në korrik të ’99-së, jemi takuar në urë sepse të dyja kemi banuar në pjesën veriore dhe më ka njoftuar se është shpallë konkursi për polic, dhe më ka kërkuar a ta marr një aplikacion”, ka rrëfyer Mikullovci.

Rrëfimin e saj se si është bërë pjesë e Policisë së Kosovës, Mikullovci e vazhdon duke treguar se si fillimisht ka refuzuar të aplikojë në konkursin për t`u bërë zyrtare policore.

“Aty për aty e kam refuzu, i kam thënë jo për shkak se unë nuk e kisha një përvojë të tillë në familjen time dhe kam hezituar pasi që un nuk jam e njoftuar me këtë fushë. Kam qenë me prindin dhe axhën të cilët më pyetën pse refuzove, ka qenë një arsyetim shumë i paarsyeshëm e kam jap aty për aty. Ata kanë tentu me ma mbushë mendjen. Në ditën e fundit për të dorëzuar aplikacionet, kam qenë kandidati i fundit në atë grup që kam dorëzuar aplikacionin, dhe më ka rezultuar emri në listën e gjeneratës së parë”, tregon Mikullovci.

Si drejtoreshë e një Drejtorie Rajonale të Policisë, Mikullovci tregon se sa është e lehtë që një grua në këtë pozitë të komandoj kolegët burra.

“Është shumë lehtë, është shumë lehtë, arsyeja është qasja, nëse e ke një qasje të mirë, një qasje pragmatike, një qasje profesionale, është ndoshta e papërshkueshme se çfarë përkrahje gjen tek kolegët burra. Unë kam një përkrahje dhe një bashkëpunim të hatashëm të cilin nuk arrij ta përshkruaj me fjalë”, tregon Mikullovci.

Mikullovci rrëfen se gjatë karrierës së saj është përballur me situata të ndryshme, duke pasur parasysh edhe situatën e tensionuar në Veri të Mitrovicës, ku shpeshherë kanë pasur ndërhyrje.

Përveç rasteve të rrezikshme, Mikullovci ka treguar për një rast gjatë vitit 2001, ku së bashku me një koleg të saj kanë arritur të shpëtojnë një jetë të një gruaje të moshuar në një rast të shpërthimit.

“E ndjej veten mirë një përvojë kur kemi arritur të shpëtojmë një grua të moshuar tek stacioni i autobusëve në vitin 2001, me një nga kolegët ka qenë një alarm për një bombë, kanë ardhur njësia speciale dhe është dashtë të evakuohen familjet, ndërsa familja në fjalë e ka lënë një grua të moshuar të vetme në shtëpi. Edhe pse e kemi pasur kërkesën e njësive të specializuara që të mos hymë fare në atë shtëpi, unë dhe një koleg kemi hy e kemi marrë, ka qenë e paralizuar, një grua e moshuar dhe e kemi vendosur në karrocë në të cilën bartin beton, e kemi vendos dhe e kemi tërheq, dhe pas pak ka ndodhur shpërthimi”, ka rrëfyer Mikullovci.

Afërdita Mikullovci – Kolonele

Për rreth 20 vite karrierë në Policinë e Kosovës, Mikullovci tregon se ka pasur momente kur ka menduar që të largohet nga puna në polici, por këtë mendim ajo thotë ta ketë pasur në momente të caktuara.

“Të jem e sinqertë, më ka shkuar mendja, më ka shkuar mendja për shkak të shumë sfidave që i ka pasur policia, e posaçërisht regjioni jonë, jo ndoshta nga lodhja e punës por për shkak të shumë rrethanave që kanë mbizotëruar në regjionin e Mitrovicës, por ka qenë kalimthi një moment i caktuar, por jo më tutje”, ka përfunduar Mikullovci.