Rrëfimi i ish-dashnores të të akuzuarit për grabitje

Në gjykimin për grabitje ndaj të akuzuarve Fatlind Ukëhaxhaj dhe Suad Puzo, dëshmoi dëshmitarja  nga Dibra e Maqedonisë, Sose Gjoni, me pseudonimin Ina.

Sipas aktakuzës Fatlind Ukëhaxhaj, Suad Puzo dhe Abnor Loshaj, të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kishin grabitur  pompën e benzinës “Petrol Company”.

Sose Gjoni tha se gjatë qëndrimit të saj në Gjakovë, kishte qenë e lidhur me një djalë e pastaj përmes një shokut të saj e kishte njohur të akuzuarin Fatlind Ukëhaxhajn me të cilin edhe kishte filluar një lidhje, i cili edhe i kishte gjetur punë në një kafiteri.

“Fatlindi ndonjëherë vinte më takonte në lokal ku unë punoja si kamariere, shkonim në hotel e të nesërmen unë shkoja në punë”-tha dëshmitarja Sose.

Derisa dëshmitarja ishte duke dëshmuar, kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani lëshoj cd-në e kamerës së pompës së vjedhur, ku aty shihen  tre persona.

Në cd-në e lëshuar nga gjykata, vërehet punëtori-i dëmtuari Fatos Kukalaj duke rregulluar deren tek marketi i pompës, e pastaj vëreheshin 3 persona të maskuar, njëri me ternerka të bardha, dorza dhe pushkë automatike, i cili e rrëzon përtoke të dëmtuarin e kontrollon dhe duke ja marrë të hollat ja shkyen gjepin e pasëm.

Ndërsa personi i dytë kishte kontrolluar të dëmtuarin, personi i tretë kishte kontrolluar nëpër sirtare dhe kishte marrur një revole prej aty.

“Ato ternerka të personit të parë që shihen në cd, i njoh, sepse janë të Fatlindit dhe të njëjtat i kam veshur 5 ditë. Maskën, dorzat dhe pushkën i kam parë në telefonin e Fatlindit, të cilin telefon ma kishte japur mua. Ndërsa dy personat tjerë nuk mund ti identifikoj. Pas këtij rasti unë jam takuar me Fatlindin, por ai nuk ka biseduar asgjë lidhur me grabitjen, veqse më ka përmendur Suad Puzon, isuf Allqi dhe Arbnor Loshin qe i ka shokë”- tha dëshmitarja Sose Gjoni.

Lidhur me rrëfimet e dëshmitares Sose, mbrojtësi i të akuzuarit Fatlind Ukëhaxhaj avokati Agim Muhaxhiri kishte vërejtje në dëshminë e saj, duke thënë që ishte e njëanëshme dhe se të njëjtën e ka shtyer të flasë dikush tjetër.

Poashtu, edhe i akuzuari Fatlind Ukëhaxhaj i kundërshtoi deklarimet e saj, duke thënë se ka gënjyer për ternerkat, asaj nuk i kishte dhënë asnjëherë ndonjë telofon e as nuk i ka gjetur punë.

Gjykimin e sotëm e drejtoi kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani bashkë me gjyqtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.

Në lidhje me këtë rast të grabitjes të ndodhur në vitin e kaluar, sot para gjykatës ishte e planifikuar të dëshmonte edhe dëshmitari Isuf Allqi ndaj të cilit ishte lëshuar urdhëresë për sjelljen me forcë në gjykatë, mirëpo Stacioni Policor në Deçan e kishte njoftuar gjykatën, se i njëjti qe një vit është kthyer në Shqipëri dhe se nuk mund të gjindet.

Prokuroria pretedon se kjo grabitje kishte ndodhur në Nëntor të vitit 2017, në pompën e derivative “Petrol Company”, në fshatin Hereq të komunës së Gjakovës.

Ende pa e dhënë mbrojtjen të akuzuarit, të cilët kishin kundërthënje mes deklaratave të tyre, prokurori i rastit Agron Matjani hoqi dorë për dëgjimin e dëshmitarit Isuf Allqi, me arsyetimin se i njëjti është i paarritshëm për policinë.

I akuzuari Fatlind Ukëhaxhaj, në mbrojtjen e tij tha se ditën kritike kishte qenë në gjumë dhe pastaj në Istog.

“Gjatë ditës kam qenë në gjumë dhe mbasdite në Istog dhe pastaj prej objektit Kajot kam dalur në ora 3 dhe në ora 4:30 të mëngjesit jam kthyer në shtëpi, ndërsa për grabitjen e kam kuptuar ditën e nesërme nga Fatos Kukalaj, i cili më ka thënë që nëse kam qenë unë ai që e kam grabitur, ti tregoj në mënyrë që të i’a kthej revolen bashkë me 200 euro dhe ta mbyllim këtë punë”- tha I akuzuar Fatlind.

Duke rrëfyer për arrestimin e tij nga zyrtarët policorë, ai tha se sjellja e policisë ndaj tij ka qenë shumë e rreptë dhe se e kishin rrahur dy herë.

“Për shkak se policia na ka rrahur, unë jam detyruar që ta përmend Suadin pasi që kur kemi qenë në polici bashkë me Isuf Allqin, i cili nuk e pranojke fajin dhe pas presionit të policisë unë e kam pranuar fajin sepse nuk kam pasur zgjidhje tjetër, mirëpo Suadi nuk ka faj sepse nuk ka qenë pjesë e grabitjes”- deklaroj Fatlind Ukëhaxhaj.

Në dëshminë e tij, i akuzuari Fatlind Ukëhaxhaj tha se në muajin dhjetor të vitit të kaluar kishte qenë në Mal të Zi, mirëpo nga leximi i raportit të hetuesit të përgjimit të telefonatave, del se i njëjti ka qenë në Kosovë.

Kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani, i’a tërhoqi vërejtjen të akuzuarit Fatlind, pasi që kishte dallime në mes të deklaratave të tij të dhëna në Polici e Prokurori.

Ndërkaq, prokurori Agron Matjani i propozoi gjykatës që të arrihet një marrëveshje për pranimin e fajësisë, nëse i akuzuari është bashkëpunues, mirëpo avokati Agim Muhaxhiri dhe i akuzuari Fatlind nuk dëshiruan të negociojnë për asnjë marrëveshje.

Pas kësaj, i akuzuari Suad Puzo në prani të mbrojtësës së tij avokates Blerina Kurtaj, tha se gjendet në stres të madhe dhe se ishte përdorues i rregullt i medikamenteve të qetsimit.

“Unë nuk e di pse Fatlindi më ka përfshi në këtë rast, Fatlindin e njoh përmes babës së tij Muhametit, të cilin e kam takuar në burgun e Dubravës, pasi që unë kam qenë i dënuar për një vjedhje në vitin 2009″, tha Puzo.

I akuzuari Suad Puzo, theksoi se ia kishte shkruar një letër Fatlindit në burg dhe i kishte thënë që mos ta merr në qafë dhe ta pranon fajësinë, e pastaj Fatlindi ia kishte kthyer letrën duke i thënë që në qafë t’ka marrë Arbnor Loshi.

“Në ndërkohë edhe juve si gjyqtar ju kam dërguar një letër për të ju treguar se jam i pafajshëm”- theksoi i akuzuari Suad Puzo.

Gjatë dëshmisë së tij, i akuzuari Suad, përmendi edhe një zyrtar policor me emrin Fidan Rama.

“Polici Fidan Rama më ka thënë që janë në dijeni që s’kam gisht në këtë punë, por se në këtë çështje më ka futur Fatlindi dhe polici i njëjti me ka pyetur nëse i frikësohem Fatlindit”- tha i akuzuari Suad Puzo.

Pasi që, gjykata i ballafaqoi dy të akuzuarit në mes vete, i akuzuari Fatlind tha se nuk kishte pranuar e as nuk i kishte dhënë letra Suadit, ndërsa i akuzuari Suad theksoi bindshëm se i kishte dhënë dhe kishte marrë letër nga Fatlindi.

Sipas aktakuzës, Fatlind Ukëhaxhaj, Suad Puzo dhe Arbnor Loshaj- i cili gjendet të arrati, kishin grabitur pompën e derivative në fshatin Hereq të Gjakovës.

Aktakuza thotë se të njëjtit kanë qenë të maskuar dhe nën kërcënimin e armës, duke hyrë dhunshëm në marketin e pompës kishin arritur që të dëmtuarit Fatos Kukalaj ti’a marrin 200 euro bashkë me një pistoletë.

Pistoletën e kishin marrur në sirtarin e dollapeve të pompës, të cilën pistoletë i akuzuari Fatlind e kishte shitur në Pejë.

Lidhur me këtë rast, fjala përfundimtare do të ipet pas një jave.