Gjykimi për trafikim me njerëz - 09.07.2019 - KALLXO

Rrëfimi i babait i cili pagoi 2700 euro për të dërguar djalin ilegalisht në Francë

Në gjykimin për trafikim më njerëz ndaj të akuzuarve Bekim Krasniqi, Zef Colaj dhe Miftar Ukshinaj, ka dhënë dëshminë dëshmitari Mustafë Sadiku.

Dëshmitari Sadiku në rrëfimin e tij para Gjykatës, tregoi se si djali i tij ishte dërguar ilegalisht në Francë nga tashme i akuzuari Bekim Krasniqi në këmbim të një pagese prej 2700 eurove.

I njëjti para gjykatës deklaroi se nuk ndjehet i dëmtuar de se nuk kërkon kurrfarë kompensimi nga i akuzuari i prokurorisë Bekim Krasniqi.

Dëshmitari Sadiku para gjykatës tha se: “Hallall i kofshin qito pare që ja kom dhënë”.

“Djali im ka arritur të dalë ilegalisht në Francë për 2700 euro. Për këtë i ka ndihmuar Bekim Krasniqi, të cilin edhe e kam paguar. Nuk ndjehem i dëmtuar, nuk dëshiroj kurrfarë kërkese juridike”, tha dëshimtari Sadiku.

Tutje dëshmitari deklaroi se djali i tij ka pasur nevojë të dal jashtë vendit dhe i akuzuari Bekim Krasniqi e ka ndihmuar.

Ai kishte deklaruar më parë se Bekim Krasniqi ishte edhe shofer në një kompani udhëtimesh në Podujevë.

Sadiku në dëshminë e tij tha se ka qenë në dijeni se djali po përgatitej të largohej nga Kosova, pasi që sipas tij  “krejt rinia janë organizu për me dal”.

Bekim Krasniqi, Zef Colaj dhe Miftar Ukshinaj nga Prokuroria e Prishtinës po akuzohen për veprën penale kontrabandim me migrantë.

Në bazë të aktakuzës prej muajit dhjetor 2016 deri në muajin maj të vitit 2017, Bekim Krasniqi duke qenë shofer i autobusit të Kompanisë “B. T.” me seli në Podujevë, që mbante linja të rregullta nga Kosova për në shtetet e Evropës dhe duke i shfrytëzuar këta autobusë, i ka mundësuar kalimin e migrantëve në kufirin Serbi-Hungari, përmes rrugëve ilegale duke i prezantuar pasaportat e ndryshme policisë dhe duke bashkëpunuar me ta në këtë drejtim.

Poashtu të pandehurit Bekim Krasniqi dhe Zef Colaj, kanë shfrytëzuar vetura me qira për t`i dërguar migrantët nga Kosova në Suboticë- Serbi, ndërsa nga Serbia kanë shfrytëzuar autobusë që kanë linja të rregullta për shtete të Evropës dhe për këtë shumë të dëmtuar paguanin mesatarisht nga 2000 – 3000 euro për person.

Aktakuzën ndaj tre të akuzuarve Bekim Krasniqi, Zef Colaj dhe Miftar Ukshinaj në seancën e së martës (09.07.2019) e përfaqësoi prokurorja Besa Limani, para trupit gjykues të përbërë nga kryetarja Shpresa Hyseni, dhe anëtaret Syzana Qerkini e Alltëne Murseli.