Behar Mustafa e Vehbi Kajtazi, gazetarë të sulmuar. Ilustrimi: Kallxo.com

Rrëfimet e Gazetarëve që u Sulmuan në Pikë të Ditës

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” solli rrëfimet e gazetarëve që janë sulmuar gjatë punës së tyre.

Behar Mustafa, gazetar i KALLXO.com, i cili ishte sulmuar përderisa po e përcillte një protestë të shqiptarëve në jug të Mitrovicës në qershor të vitit 2014, thotë se ende nuk e di kush janë sulmuesit, sado që incidenti kishte ndodhur në pikë të ditës,

Ai thotë se nuk ka ndonjë informatë nga Policia apo Prokuroria për hetimet rreth rastit.

“Unë çka pres të di është se kush janë ata persona që më kanë sulmu. Përderisa nuk e di kush janë sulmuesit, qysh mundem me pritë që ka mu kry rasti dhe ata persona me dalë para gjykatës”, tha Mustafa.

Vehbi Kajtazi, kryeredaktor i portalit “Insajderi”, ka treguar për emisionin “Drejtësia në Kosovë” se siguria e gazetarëve është tejet e cenueshme pasi, sipas tij, në pikë të ditës sulmohen dhe atë në prani të qindra njerëzve.

Që nga dta kur është sulmuar, tri javë më parë, Kajtazi thotë se është duke lëvizur nën përcjellje të policisë.

“Unë derisa nuk jam sulmuar fizikisht nuk i kam kushtuar shumë rëndësi kërcënimeve. Por, pas rastit të fundit ku unë jam sulmuar fizikisht në pikë të ditës në prani të qindra njerëzve, kjo tregon se siguria jonë është lehtë e cenueshme, kjo tregon se kryerësit e sulmeve nuk ia kanë frikën drejtësisë”, ka thënë Kajtazi.

Të dhënat e Policisë tregojnë se gjatë periudhës janar-15 tetor të këtij viti janë raportuar 23 raste të ndryshme prej gazetarëve. Rastet sipas Policisë janë të ndryshme, duke përfshirë ngacmimin, ndërhyrjet në sistemet kompjuterike, lëndimet trupore, kanosjet e raste të tjera.

Nga muaji janar deri më mesin e muajit tetor të këtij viti, në Polici janë të raportuara 23 raste që përfshijnë një rast të ngacmimit, 3 raste të ndërhyrjes në sistemet kompjuterike, 5 raste të lëndimit të lehtë trupor, 13 raste të kanosjes dhe një rast i legalizimit të përmbajtjes së rreme.