Gjykimi për lëndim të rëndë trupor - Foto: KALLXO.com

Rrahu kushëririn shkaku i një palete, Gjykata e dënon me burg

Gjykata e Mitrovicës ka shpallur aktgjykimin në rastin e Naim Hajdinit, i cili akuzohet se për një dërrasë palete i shkaktoi lëndim të rëndë trupor kushëririt të tij, Isni Hajdini.

Pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, ku i pandehuri e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohet, Gjykata ka shpallur vendimin ndaj tij.

Trupi gjykues i përbërë nga Radoslav Markoviq – kryetar dhe Sinisha Mandushiq e Dragana Staniq – anëtarë, e kanë dënuar Naim Hajdinin më 1 vit e gjashtë muaj burg, për veprën e kryer, raporton KALLXO.

Vepra për të cilën u dënua Naim Hajdini ka ndodhur në korrik të këtij viti, kur i pandehuri dhe vëllai i tij, Ilmi Hajdini, me traktor ishin duke u kthyer nga arat në shtëpi, thuhet në akuzën e Prokurorisë së Mitrovicës.

Ndërsa një dërrasë kishte qenë mollë sherri mes të pandehurit dhe të dëmtuarit.

Para shtëpisë së tij i pandehuri Naim e kishte takuar djalin e axhës së tij, tani të dëmtuarin Isni Hajdini, i cili në dorë kishte pasur një dërrasë druri të paletës, të cilën paraprakisht e kishte marrë të prindërit e të pandehurit, raporton KALLXO.com.

Në momentin e takimit Naimi iu kishte drejtuar të dëmtuarit me fjalët: “Pse e ke marr atë paletë?”, duke ia sharë nënën të dëmtuarit Isni Hajdinit.

Më pas i akuzuari kishte kërcyer nga rimorkio e traktorit dhe më një dru (stupc) e kishte goditur në dorën e majtë dhe në pjesë të trupit duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me rastin e mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor i pandehuri i ka pranuar fajësinë, po ashtu ai i ka kërkuar falje të dëmtuarit dhe ka shprehur keqardhjen e thellë për atë se çfarë kishte ndodhur.

Naim Hajdini po ashtu i ka premtuar Gjykatës që më nuk do të përsëris një vepër të tillë.

I dëmtuari Isni Hajdini nuk ka arritur t’i mbajë lotët, por edhe ai e ka pranuar kërkim-faljen e të pandehurit, duke theksuar se ata në mes vete janë familjarë.

Pranimi i fajësisë po ashtu u mbështet edhe nga ana e prokurores së rastit Fetije Bajrami dhe mbrojtësi i të pandehurit avokati Qendrim Rama.

Pas dhënies së fjalës përfundimtare nga palët dhe veprimeve tjera procedurale Gjykata ka shpallur aktgjykimin më ç’rast i akuzuari u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim.

Në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 14 korrik e deri më sot.

Gjykatësi Markoviq shtoi se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor duke cekur se Gjykata me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, ka marrë për bazë rrethanat lehtësuese, faktin që i pandehuri e ka pranuar fajësinë si dhe që palët në mes vete kanë raporte familjare.

Me rastin e shpalljes se aktgjykimit prezent nuk ishte prokurorja e rastit Fetije Bajrami-Shala, i akuzuari Naim Hajdini, mbrojtësi i tij avokati Qëndrim Rama dhe as i dëmtuari Isni Hajdini.