Prezantimi i raportit rreth pirjes së duhanit nga të rinjtë kosovarë - Foto: KALLXO.com

Rrahmani: Rënie e Zbatimit të Ligjit Kundër Duhanit

Hulumtimi gjithëpërfshirës rreth duhanpirjes në mesin e të rinjve (GYTS) tregon se në Kosovë të rinjtë e moshës 13-15 vjeç janë përdorues të duhanit.

Ky hulumtim është përkrahur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) dhe Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve (CDC).

Duke prezantuar raportin, doktoresha Afërdita Berisha tha se shumica e njerëzve e fillojnë duhanpirjen para moshës 18-vjeçare.

Sipas saj, korniza e mostrës për hulumtimin në Kosovë është përbërë nga të gjitha shkollat publike dhe private dhe ka përfshirë nxënësit e klasave të shtata, teta dhe nënta.

“Nga gjithsej 66 shkolla pjesëmarrja në hulumtim ka qenë 100%. Në mesin e nxënësve kosovarë të moshës 13-15 vjeç për 30 ditët e fundit 8.8 për qind janë përdorues aktualë të ndonjë forme të duhanit”, tha ajo.

Doktoresha Berisha tha po ashtu se duhanxhinj aktualë janë djemtë dy herë më shumë se vajzat me 10.1 për qind ndërsa duhanxhinj të shpeshtë janë gjashtë herë më shumë djemtë se vajzat.

“Mosha më e shpeshtë për fillimin e pirjes së cigareve është 12 apo 13 vjeç me 35.8 për qind, pastaj 10 apo 11 vjeç me 19 për qind ngjajshëm për të dy gjinitë”, tha Berisha.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, u shpreh i pakënaqur me zbatimin e Ligjit Kundër Duhanit.

“3 vjet e gjysmë pas suksesit që na bëri të ndjehemi krenarë dhe të jemi optimistë se kemi arritur të bëjmë një ndryshim me qasjen tonë ndaj shëndetit, realiteti na tregon se kemi rënie të zbatimit të këtij Ligji”, tha ministri.

Rrahmani kujtoi se në fillim Ligji i duhanit kishte zbatim të mirë dhe si arritje u evidentua edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, tha se përmes këtyre hulumtimeve mund të monitorohet përdorimi i duhanit te të rinjtë.

“Në vitin 2004 u zbatua për herë të parë në Kosovë me ndihmën financiare edhe teknike të Shoqatës Kanadeze të Shëndetësisë Publike. GYTS ofron mekanizëm me të cilin një vend mund të monitorojë përdorimin e duhanit te të rinjtë e moshës 13-15 vjeçare”, tha Ramadani.

Me këtë rast u theksua po ashtu se nxënësit kanë qasje të papenguar për të blerë cigare qoftë me paketime apo të ndara.