Arrestimi i një të dyshuari - Foto: Ilustrim

Rrahje me shkop mes vëllezërve dhe babait për probleme pronësore

Problemet pronësore ishin arsyeja që një person në Prizren rrahu para tri ditëve babanë dhe vëllanë e tij.

Gjykata e Prizrenit ka caktuar sot masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit F.M, nga fshati Landovicë të Prizrenit, pasi që i njëjti ka kryer veprën penale – dhunë në familje.

Prokuroria duke dhënë detaje se si ka ndodhur rasti, ka njoftuar se i dyshuari para tri ditëve, në shtëpinë familjare të tyre, ka sulmuar vëllanë dhe babanë e tij, duke përdorur forcën.

Sipas prokurorit, i dyshuari në gjendje të dehur fillimisht ka sulmuar babanë e tij K.M., e më pas vëllanë e tij B.M.

E gjithë ngjarja sipas Prokurorisë ka filluar pasi i dyshuari ka sulmuar babanë e tij për disa probleme pronësore e më pas ka sulmuar edhe vëllanë e tij, i cili ka tentuar që gjatë përleshjes t’i ndajë duke u munduar të mbrojë babanë e tij.

Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari ditën kur ka ndodhur rasti ka goditur me shkop druri vëllanë e tij duke i shkaktuar lëndime të dukshme trupore, dhe në po të njëjtën ditë, pas dhënies së deklaratës në stacionin policor, pasi ishte liruar për në shtëpi, kishte kanosur përsëri vëllanë e tij me fjalë, duke i shkaktuar frikë dhe ankth.

I pandehuri sipas Prokurorisë do të qëndrojë në paraburgim deri më 20 gusht.