Pallati i Drejtësisë - FOTO Fatrion Ibrahimi - KALLXO

Rrahja për hedhjen e mbeturinave, të akuzuarit i rikualifikohet vepra penale

Ndryshimet në Kodin Penal, kanë bërë që rasti i Xhevahir Lumës, i akuzuar për lëndim të rëndë trupor ndaj Isa Lumës dhe Labinot Lumës, të delegohet në Departamentin e Përgjithshëm Penal nga ai për Krime të Rënda.

Këtë vendim e mori në seancën e së enjtes (04.07.2019) gjykatësja e rastit Nushe Kukaj Mekaj, pasi prokurorja Shemsie Asllani e ka rikualifikuar veprën penale ashtu siç e parasheh Kodi i ri penal.

Sipas Aktakuzës së Prokurorisë Xhevahir Luma akuzohet se në qershor 2018 në rrugën ‘Bregu i Zi’, në afërsi të fshatit Varigovc, pas një mosmarrëveshje me shufër metalike i kishte sulmuar duke u shkaktuar lëndime të rënda Isa e Labinot Lumës.

“Pas një mosmarrëveshje të atëçastshme me të dëmtuarit Isa Luma dhe Labinot Luma lidhur me mbeturinat për hedhjen e tyre në mal, i pandehuri Xhevahir përdor shufër metalike (vinç), si mjet të rrezikshëm. I godet në kokë të dëmtuarit Isa dhe Labinot Luma të cilët rrëzohen në tokë duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore me çka ka kryer veprën penale lëndimi I rendë trupor”, thuhet në aktakuzë.

Në seancën e së enjtes (04.07.2019) prokurorja e rastit Shemsie Asllani bazuar ne Kodin e ri Penal e bëri rikualifikimin e veprës penale me arsyet se ligji më i favorshëm për palët ka përparësi.

“Bëj ricilësimin e veprës penale, ashtu që në baze te asaj që Kodi penal na obligon qe të zbatohet ligji më i favorshëm, kjo çështje penale bie në kompetencën e departamentit të përgjithshëm, i propozoj trupit gjykues që kjo çështje te delegohet në kompetence te departamentit të përgjithshëm.”, deklaroi prokurorja Asllani.

Trupi gjykues me kryetare gjyqtaren Nushe Kuka Mekaj aprovoi propozimin e prokurores i cili është mbështetur edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit.

“Lënda delegohet në departamentin e përgjithshëm”, tha gjyqtarja Kuka- Mekaj.