Rrahim Pacolli - Foto: Facebook/ Rrahim Pacolli

Rrahim Pacolli jep dorëheqje nga AKR-ja

Sekretari i deritanishëm organizativ i Aleancës Kosova e Re, Rrahim Pacolli, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në parti.

“Si një ndër themeluesit e parë të Aleanca Kosova e Re më 2006 dua t’ju njoftoj se që nga sot jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Sekretarit Organizativ të AKR-së si dhe nga partia”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Pacolli ka thënë se as asnjëherë sa ishte pjesë e partisë nuk ka synuar postet publike.

“Këto 13 vite, si udhëheqës në disa pozita brenda partisë, asnjëherë nuk më ka interesuar të kem ndonjë post publik qeveritar, sepse qëndroj shumë mirë me bizneset e mia”, thuhet tutje në njoftimin e tij.

Ai ka thënë se vendimin për të lënë partinë e Behgjet Pacollit e ka marr për arsye personale, ndërsa ka falënderuar përkrahësit e AKR-së.

“Dua të falënderoj bashkëpunëtorët, njerëzit e devotshëm të partisë e shumë profesorë, disa prej të cilëve nuk janë më në mesin tonë e që kanë dhënë kontribut të madh në AKR si dhe në shtetin e Kosovës, që nga fillimi e deri më sot. Atyre u them me keqardhje se nuk do jem më pjesë e partisë. Ky vendim është marrë tërësisht për arsye personale”, thuhet në njoftimin e tij.