Romët, ashkalitë dhe egjiptasit me mundësi të kufizuara

Në Zyrën e UNDP-së në Kosovë është diskutuar për romët, ashkalitë dhe egjiptasit, të cilët thuhet se përballen me qasje të kufizuar në mundësi në pothuajse çdo aspekt të zhvillimit njerëzor, siç janë të drejtat themelore, shëndetësia, arsimi, banimi, punësimi dhe standardi i jetesës.

Kjo argumentohet nga Anketa Rajonale për Romët 2017, që u lansua sot.

Sipas një komunikate të UNDP-së, të dhënat kryesore të anketës tregojnë se ekziston një dallim i gjerë midis romëve, ashkalive dhe egjiptasve të margjinalizuar dhe fqinjëve të tyre që nuk u përkasin këtyre komuniteteve në aspektin e aftësive njerëzore dhe mirëqenies materiale.

“Përderisa shkalla e regjistrimit në arsimin parafillor te fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas të margjinalizuar në Kosovë është relativisht e lartë, vetëm 60 për qind e të rinjve nga këto komunitete të margjinalizuara të moshës 18-21 vjeç kanë përfunduar arsimin e detyrueshëm”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, gratë rome, ashkali dhe egjiptase vazhdojnë të martohen të reja.

“Martesa e hershme është dukuri e vazhdueshme dhe e lartë. Kushtet e jetesës vazhdojnë të jenë një shqetësim i madh pasi këto komunitete të margjinalizuara kanë më shumë gjasa të jetojnë në banime të mbipopulluara dhe në lokalitete ku mbeturinat nuk grumbullohen, si dhe kanë më pak gjasa të kenë qasje në ujësjellës dhe energji elektrike”, thuhet më tutje.