Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Roja i Pyllit Mohon të Ketë Marrë 55 Euro Ryshfet

Roja i pyllit, Agim Shishani, tha se ndihet i pafajshëm rreth akuzës për marrje ryshfeti.

Kështu ai u deklarua kur iu lexua aktakuza në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Shishani akuzohet se si pylltar në malin e Krivovës, të komunës së Fushë-Kosovës, ka marrë 55 euro ryshfet për t’i lejuar tre persona të marrin disa dru të thata.

Pas leximit të aktakuzës, i akuzuari tha se e tëra ishte gënjeshtër e krijuar nga të dëmtuarit.

“Kjo dëshmi –aktakuza është e rreme, nuk e pranoj fajësinë”, tha Agim Shishani.

Pasi që i akuzuari nuk e pranoi fajësinë, kryetarja e trupit gjykues Suzana Qerkini e udhëzoi atë që në afat prej 30 ditësh të paraqes kundërshtim me shkrim kundër aktakuzës dhe provave që gjenden në të.

Prokuroria  e akuzon Agim Shishanin se më  26 shtator 2013, në cilësinë e personit zyrtar, në malin e Krivovës në komunën e Fushë-Kosovës, i njëjti si roje e pyllit në Agjencinë Pyjore të Kosovës,  në mënyrë që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm ka kërkuar dhe marrë ryshfet në para nga dëshmitarët:  Nasip Banushi, shumën prej 30 euro, nga Xhavit Banushi, shumën 15 euro si dhe nga Binak Kurteshi shumën prej 10 euro.

Sipas aktakuzës, këto shuma të parave i ka marrë me qëllim që dëshmitarët t’i lejojë të ngarkojnë dru të thata dhe për të prerë drunjtë e dëmtuar nga zjarri në malin e Krivovës.