Rita Ora mirënjohëse ndaj UNICEF-it për vizitën e fundit në Kosovë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora është deklaruar sërish për vizitën e saj të fundit me karakter humanitar në Kosovë, përmes Fondit për Mbrojtjen e Fëmijëve-UNICEF.

Ora në rrjetin social “Instagram” ka shprehur mirënjohje ndaj kësaj organizate për kontributin në vendlindjen e saj Kosovën.

“Kujtimet nga besimi i UNICEF-it dhënë për vendlindjen time, ishte me të vërtetë diçka që kurrë nuk do ta harroj”, ka shkruar ylli i popit.

Rita Ora e vizitoi Kosovën këtë muaj, në kuadër të një misioni humanitar me UNICEF-in për fëmijët në Kosovë.

Rita Ora, Foto: Instagram

Këngëtarja bëri edhe një paraqitje të shkurtër publike në Prishtinë, në ngjarjen vjetore të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë “Activate Talks”.

Ajo theksoi se gjatë këtyre dy ditëve sa po qëndron në Kosovë është njoftuar për së afërmi me familjet kosovare dhe të rinjtë e vendit.

“Jam që dy ditë në Kosovë, kemi bërë një rrugëtim të mrekullueshëm me UNICEF. Kam kaluar një kohë të mrekullueshme me rininë e Kosovës, kam mësuar shumë. Jam njoftuar për së afërmi me jetën e të rinjve dhe familjeve në Kosovë”, tha ajo.

Ora përsëriti se është e lumtur dhe krenare që është nga Kosova.

“Jam shumë e kënaqur me punën e ‘Up Shift’ të UNICEF-it që po bëhet këtu. Jam shumë e nderuar që jam këtu dhe që kam takuar kaq shumë heronj. Jam shumë krenare që jam nga këtu”, shtoi ajo.

Rita Ora është shpallur ambasadore e Republikës së Kosovës.

Këngëtarja para kësaj here, e vizitoi Kosovën me 17 shkurt 2018, në 10 vjetorin e pavarësisë, ku mbajti edhe një koncert madhështor në Prishtinë.

https://kallxo.com/fotogaleri-erdhi-rita/