Rishpallet konkursi për drejtor të Agjencisë së Punësimit

Konkursi i anuluar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit, për shkak të mungesës së kandidatëve, është rishpallur përsëri nga Ministria e Administratës Publike.

Në njoftimin për rishpalljen e konkursit thuhet se paga mujore e drejtorit të Agjencisë së Punësimit është 1 mijë e 171 euro, ndërsa mandati për këtë pozitë zgjat tri vite.

Ky konkurs do të jetë i hapur për kandidatët edhe për 10 ditë kalendarike.

Sipas njoftimit, për pozitën e drejtorit të Agjencisë së Punësimit kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë nëpunësit civil në pozita të larta drejtuese, pozita drejtuese apo në pozita të barasvlershme në institucionet e administratës publike apo kompanitë publike ose private.

Sipas njoftimit për rishpallje, kandidatët të cilët aplikojnë për këtë pozitë duet të kenë diplomë universitare ( minimum 4 vjeçare pas shkollës së mesme ) apo të avancuar, ku është e preferuar të jetë në fushat që ndërlidhen me punën e Agjencisë përkatëse.

Ndërsa, përvojë e cila kërkohet për këtë pozitë është të ketë shkathtësi në përcaktimin dhe arritjen e objektivave strategjike të institucionit, aftësi të larta organizative dhe drejtuese, aftësi në komunikim dhe negocim, aftësi të dëshmuara për analizën e gjendjes dhe ofrimin e opsioneve, standarde të integritet, njohuri në programe kompjuterike, të ketë së paku tetë vite përvojë pune profesionale, përfshirë së paku pesë vite në nivelin drejtues pas diplomimi në universitet, njohuri të gjuhëve të huaja.

Në njoftim thuhet se pjesë e vleftësimit të përzgjedhjes së kandidatëve do të jenë kriteret e hollësishme të paraqitura në këtë njoftim.

Ministria ka njoftuar se kandidatët, aplikacioneve të cilat i dorëzojnë në Zyrën e Personelit, në Ministrinë e Administratës Publike, duhet të ju bashkëngjiten edhe kopjet e dokumentacionit mbi kualifikimin, të diplomuarit në universitete jashtë vendit duhet të kenë dëshminë e nostrifikuar të diplomës, dëshminë për përvojën e punës, dëshminë që nuk është nën hetime apo i dënuar për vepra e penale, dokument ky i cili nuk duhet të jetë më i vjetër se data e shpalljes së konkursit.

Kandidatët po ashtu duhet të paraqesin një CV dhe një letër motivimi me shpjegime të qarta dhe shembuj nga përvoja profesionale që tregojnë se si përvoja dhe aftësitë e tyre përputhen me kërkesat e vendit të punës.

KALLXO.com kishte raportuar për anulimin e këtij konkursi për shkak të mungesës së tre kandidatëve të suksesshëm. Nga tre kandidatë që ishin përzgjedhur për intervistim, njëri nuk është paraqitur fare në intervistim, që e ka bërë të pamundur vazhdimin e intervistave. Sipas kërkesës ligjore, procesi nuk mund të vazhdojë tutje me vetëm dy kandidatë.

Ky konkurs është zhvilluar në bashkëpunim me BDO-në, kompaninë e angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve në rekrutimin e pozitave të larta.

Konkursi ishte shpallur me 22 dhjetor 2018, nga Ministria e Administratës Publike.

Në lidhje me këtë pozitë kishin aplikuar më shumë kandidatë, por vetëm tre prej tyre kishin plotësuar kriteret e parapara në konkurs.

Në vitin 2017 në këtë pozitë ishte zgjedhur Drin Haraqija përmes një konkursi. Mirëpo, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në fillim të vitit 2018, kishte gjetur shkelje dhe kishte kërkuar që konkursi të anulohet.

Dështon konkursi për Drejtor të Agjencisë së Punësimit