Rinis Gjykimi për Rrëmbimin e Djalit të Biznesmenit

Për shkak se në këtë çështje penale është ndërruar kryetari i trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor rifilloi nga e para.

Pas leximit të aktakuzës së prokurorisë të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Fjalën hyrëse në këtë proces gjyqësor e dha prokurorja Ervehe Gashi, ndërsa avokati Bashkim Nevzati që mbron Selam Shoshajn, kërkoi shtyrjen e kësaj seance, për shkak se siç tha ai trupi gjykues kishte planifikuar që të mbajë vetëm seancë teknike për sot.

Kërkesës për shtyrje të përmendur nga avokati Bashkim Nevzati iu bashkuan edhe shumica e mbrojtësve të të akuzuarve.

“Ky rast njëherë është ndërprerë për shkaqe objektive ngase është dashtë të sigurohen disa prova, po në ndërkohë ka ardhë deri te ndërprerja ma e gjatë për shkak të objektivitetit cili është i lidhur me trupin gjykues. Prandaj pas dy vjetësh ndoshta edhe më shumë, rifilloi sot, por ne, përkatësisht mbrojtja për sot nuk ka qenë e përgatitur për ndonjë vazhdim të matutjeshëm, për arsye se çështja është shumë serioze dhe kërkon një përgatitje serioze paraprake,” tha avokati Nevzati.

Trupi gjykues e aprovoi kërkesën e avokatit.

Seancat e radhës u caktuan për datat 21 dhe 22 prill 2016.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, më 14 shtator të vitit 2011 në bashkëkryerje shtatë të akuzuarit kanë rrëmbyer të birin e biznesmenit Mërgim Shkreli, Gentianin, i cili ditën kritike ishte duke e përcjellë të dashurën e tij për në banesë.

Pas ndarjes nga e dashura, sipas aktakuzës, Gentiani rrëmbehet nga Bashkim Krasniqi dhe Selami Shoshaj me një makinë “pick-up”. Ata e kishin futur viktimën mbrapa në rimorkio duke ia mbyllur sytë, me qëllim që të mos ua shohë fytyrat dhe e kishin dërguar në vendin e quajtur Marash.

Aty Gentian Shkrelin e kishin mbajtur të mbyllur deri më 17 shtator 2011, në një shtëpi në Rrugën e Kalasë.

Prokuroria bën të ditur se të akuzuarit për lirim i kërkuan babait të Gentianit 100 000 euro. Mërgim Shkreli pastaj paratë e kërkuara ia kishte dhënë një personi të maskuar që pasi i kishte marrë paratë ishte larguar me shpejtësi drejt kalasë.

Në të njëjtën kohë Gentian Shkreli ishte liruar.

Aktakuza e prokurorisë i ngarkon Selam Shoshajn në atë kohë 24-vjeçar dhe dajën e tij Bashkim Krasniqin 48 vjeç të njohur me pseudonimin “Mjekra” që nga lufta e UÇK-së, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale rrëmbim i personit.

Ndërsa mbi të akuzuarit Besim Paçarizi, 29 vjeç, Beqir Dangallaj, 47 vjeç dhe Fatmire Rexhëbeqaj, 32 vjeç që të tre të punësuar në Policinë Rajonale në Prizren aktualisht të suspenduar për shkak të procesit gjyqësor, rëndojnë akuzat për kryerje të veprës penale ndihmë në bashkëkryerje të rrëmbimit të personit.

Ndërsa të pandehurve Shukri Krasniqi dhe Leonard Veshalli, aktakuza për veprën penale të rrëmbimit u është ngritur më vonë, në bazë të dëshmisë së Enes Xhemës, i cili ka qenë po ashtu i pandehur për këtë rast dhe i dënuar me gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Ky gjykim ishte gati në përfundimin e procedurës së provave, mirëpo në vitin 2013 kryetarit të trupit gjykues Xhevdet Elshanit, iu keqësua gjendja shëndetësore dhe nga ajo kohë nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore.

Rasti i Rrëmbimit Sërish me Shkelje Procedurale

Avokatët Gjaknxehtë në Rastin e Rrëmbimit në Prizren

Dy të pandehurit Shukri Krasniqi dhe Selam Shoshaj qëndruan në paraburgim mbi 2 vjet.

Për këtë rast emisioni “Drejtësia në Kosovë” në vitin 2012 hulumtoi dhe transmetoi dy emisione radhazi.

Rrëmbimi në Prizren

 

Rrëmbimi në Prizren Pjesa 2

[interaction id=”56ebcbad86da243b79a5c194″]