Burimi Kallxo.com

Rikthehen akuzat për plagjiaturë ndaj Agon Myftarit, udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar

Akuzat në adresë të udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agon Myftari, për plagjiaturë, sulm fizik ndaj aktorit të trupës së TKK-së dhe mos përmbushje të obligimeve artistike që ka si udhëheqës artistik, janë rikthyer sërish në vëmendje nga aktori i Armend Ismajli.

Aktroi i trupës rezidente të aktorëve të TKK-së, Armend Ismajli përmes një postimi në llogarinë tij në Facebook ka drejtuar një sërë akuzash në adresë të Myftarit, duke e akuzuar për plagjiaturë, për mos përgjegjësi në detyrat që është i thirrur si udhëheqës artistik dhe si i dënuar nga gjykata për sulm ndaj një aktori të trupës rezidente.

“Udhëheqësi Artistik, përveç një dite të vitit kur miratohen tekstet, nuk brengoset më për rrugëtimin, motivimin, nevojat e sfidat e ndryshme artistike që lindin gjatë procesit të krijimtarisë. Pos kësaj, ai nuk udhëheq mirëmbajtjen kreative të shfaqjeve dhe repertorit!”, ka shkruar ndër të tjera në llogarinë tij në Facebook aktori Armend Ismajli.

Më tej ai ka shkruar se udhëheqësi Artistik i TKK, në vazhdimësi përqesh dhe përbuz shumë prej teksteve dhe shfaqjeve që inskenohen, me pretekstin se nuk i ka përzgjedhur ai.

“Si duket ende pa e kuptuar që pikërisht kjo është përgjegjësia e tij kryesore! Kjo i bie që ky drejtor artistik bën favore e kompromise. Pra, është i komprometuar!”, ka shkuar ai në një reagim të gjatë ku kërkon dorëheqjen e Myftarit dhe nëse nuk e bën, sipas tij duhet ta shkarkojë Këshilli Drejtues i TKK-së.

KALLXO.com me gjithë përpjekjet nuk ka mundur të marrë një prononcim nga udhëheqësi artistik i TKK-së, Agon Myftari, për akuzat e ngritura ndaj tij. Pavarësisht insistimit të Kallxo.com përmes postës elektronike apo thirrjeve telefonike, Miftari nuk është përgjigjur.

Reagim i vonuar

Ndërsa regjisorja Elmaze Nura, ish-drejtore e TKK-së në kohën kur Myftari kishte realizuar shfaqjen për të cilën akuzohet për plagjiaturë, ka pohuar se reagimi i Ismajlit, ka ardhur shumë vonë.

Ajo në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se Teatri Kombëtar është në gjendje kolapsi.

Sipas saj, kur është emëruar udhëheqësi artistik, jo vetëm komuniteti artistik, por edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ishte dashur të reagojnë.

“Dua vetëm ta konfirmoj, se plagjiatura e Agonit, është verifikuar edhe nga Broadway. Dokumentacionin e posedon Ministria përkatëse, që e ka punësuar dhe rehabilituar në institucionin më të lartë kulturor të shtetit. Ky më nuk është thjeshtë një plagjiator, që mbanë vetëm përgjegjësinë morale dhe artistike individuale, por me emërimin e tij, është instaluar dhe legjitimuar plagjiatura në TKK”, ka thënë regjisorja Nura.

Kurse Fisnik Ademi, kryetari i Këshillit Drejtues të TKK-së ka pohuar në një prononcim  për KALLXO.com se Këshilli nuk ka marrë me shkrim asnjë ankesë ndaj udhëheqësit artistik Agon Myftari.

Ai ka pohuar se të mërkurën KD-ja është mbledhur dhe ka votuar projekt-buxhetin për vitin 2019.

“Sa i përket pyetjes suaj për shqetësimin e aktorit të trupës rezidente të TKK-se, do ta analizojmë situatën dhe të kërkojmë takim edhe me trupën rezidente që t’i kuptojmë në detaje shqetësimet e tyre. Përndryshe deri tash s’kemi pasur vërejtje ndaj drejtorit artistik, natyrisht mundet edhe më mirë”, ka thënë Ademi.