Rigjykimi për vrasjen e policit Valon Goxhuli në Skenderaj

Në gjykatën e Mitrovicës sot u mbajt seanca e gjykimit ndaj të akuzuarit Maliq Birinxhiku i akuzuar për vrasjen e policit Valon Goxhuli në Skenderaj në shtator të 2015

Ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit pas aprovimit të ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ndrec Dodaj.

Sipas aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com, Apeli e ka aprovuar si të bazuar ankesën e avokatit Ndrec Dodaj me ç’rast qështja penale është anuluar dhe i është kthyer shkallës së parë, në rigjykim dhe vendim.

Maliq Birinxhiku me aktgjykimin e shkallës së parë atë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, për veprat penale vrasje e rëndë si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pautorizuar i armëve ishte dënuar me dënim unik burgim në kohëzgjatje prej 21 vite .

Kundër këtij aktgjykimi kishin bërë ankesë përfaqësueset e të dëmtuarve, avokatet Merita Stublla dhe Albana  Kelmendi si dhe avokati Xhafer Maliqi për shkak të vendimit mbi dënimin unik me burgim duke kërkuar nga gjykata e Mitrovicës që të akuzuarit t’i shqiptojë një dënim më të ashpër sipas ligjit .

Ankesat e mbrojtësve nga ana e Apelit janë cilësuar si jo lëndore, për arsye se çështja është anuluar dhe e njëjta është kthyer në rigjykim e vendim.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Maliq Biringjiku, avokati Ndrec Dodaj kishte bërë ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar ose jo të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal.

Apeli ka vlerësuar se ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit është e bazuar dhe kështu e ka aprovuar atë duke kthyer në rigjykim këtë çështje penale .

Mbrojtësi i të akuzuarit Maliq Birinxhiku në ankesën e tij pretendonte se gjykata nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për çështjen kryesore dhe arsye te paraqituar në aktgjykim janë në kundërshtim me vetëvetën dhe me përmbajtjen e deponimeve të dëshmitarëve dhe provave materiale .

Me këtë rast gjykata e Apelit ka kërkuar nga shkalla e parë që ti evitojë shkeljet, t’i nxjerr edhe një herë të gjitha provat , të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes me ekspertët e mjeksisë ligjore dhe të balistikës dhe të hetuesve të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes, të merren ne pyetje në shqyrtim gjyqësorë ekspertët mjeko- ligjorë, me ekspertin e balsitikës, të dëgjohen ekspertët të cilët kanë ekzaminuar gjendjen e shëndetit mendor dhe të deklarohen për shëndetin mendor të të akuzuarit në kohën e kryerjes së veprës penale .

Kështu Apeli ka kërkuar nxjerrjen e provave të nevojshme veq e veq dhe me pas gjykata të bëjë vlerësimin e tyre në lidhje me provat tjera dhe të nxjerr një vendim të drejtë dhe të bazuar me ligj.

Me rastin e mbajtjes së seancës se sotme pasi që me pajtimin e të gjitha palëve aktakuza u konstatua si e lexuar i pandehuri u deklarua edhe një herë lidhur me fajësinë .

Miliq Birinxhiku ka thënë para trupit gjykues të përbërë nga Beqir Balili kryetar, Avni Mehmeti dhe Tomislav Petroviq anëtar, se nuk e ndien vetën fajtor për veprat penale me të cilat akuzohet nga prokuroria .

Ndryshe Prokuroria Themelore e Mitrovicës e akuzon Maliq Birinxhikun se në shtator të vitit 2015 në Skenderaj, në afërsi të stacionit të autobusëve, me dashje me qëllim hakmarrjeje kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Valon Goxhuli.

Sipas aktakuzës, pasi i ndjeri Valon Goxhuli kishte vrarë Bekim Birinxhikun, vëllain e tani të akuzuarit Maliq Birinxhiku, ky në shenjë hakmarrjeje derisa viktima kishte dalë me veturën e tij së bashku me bashkëshorten dhe mikun e tij Arsim Fejza, nga vetura “Ford Fokus“ me targa gjermane të cilën e drejtonte një njeri i paidentifikuar, ka shtënë me pushkë automatike duke i shkaktuar tani të ndjerit plagë vdekjeprurëse dhe duke rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe qytetarëve tjerë kalimtarë të rastit si dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit me automjet kishin ikur në drejtim të rrugës që shpie në fshatin Llaushë dhe kishin shkuar në varrezat e fshatit Çubrel ku kishte qenë i varrosur Bekim Birinxhiku, ku i akuzuari kishte zbrazur një rafal të automatikut e pastaj kanë ikur në drejtim të magjistrales Mitrovicë – Istog.

Me pas procedura ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse, ku palët kanë deklaruar se mbesin në tërësi pranë fjalëve hyrëse të cilat i kishin dhënë në seancën e mbajtur më heret, para se të kthehej në rigjykim lënda.

Ndërsa me rastin e paraqitjes së provave Prokurori Njazi Rexha ka deklaruar se nuk është e nevojshme që të ftohen edhe një herë e të dëgjohen dëshmitarët mirëpo ai ka shtuar se nesë këtë e kërkonin mbrojtësit e të dëmtuarve dhe mbrojtësi i të pandehurit duke e konsideruar si të nevojshme nuk do ta kundërshtonte.

Ndërsa përfaqësuesit e të dëmtuarve avokatët Xhafer Maliqi dhe Albana Kelmendi kanë propozuar që të thirren në shqyrtim gjyqësor të gjithë sipas vërejtjeve të gjykatës se Apelit.

Më pas trupi gjykues me aktvendim vendosi që gjykimi fillon rishtazi dhe do të administrohen të gjitha provat e propozuar në akuzë.

Por meqenëse për këtë shqyrtim gjyqësor nuk janë ftuar dëshmitarët, shqyrtimi i sotem u shtye  për datën 22 dhe 23 janar 2019.