Jovica Stanishiq e Franko Simatoviq

Rigjykimi i Shefave Serbë të Sigurimit, Shpresë Për të Vënë Drejtësi

Fikret Grabovica, presidenti i Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve të Vrarë Gjatë Rrethimit të Sarajevës, tha për BIRN të mërkurën se ai ishte i kënaqur që vendimi për lirimin nga akuzat të Stanisiçit dhe Simatoviçit ishte rrëzuar nga Gjykata e Hagës.

Grabovica përshëndeti vendimin e gjykatës se zyrtarët e sigurimit shtetëror serb duhet të dalin përsëri në gjyq, duke e quajtur këtë “një mundësi për të vënë drejtësi”.

“Lirimi i tyre nga akuzat ishte i pabesueshëm. Nuk ishte i drejtë, por kjo është një mundësi për të vendosur drejtësi dhe unë besoj se ne më në fund mund të mësojmë se cili ishte roli i Serbisë në ndihmën që i është dhënë paraushtarakëve në krimet që ata janë të përfshirë,” tha Grabovica .

“Kjo na jep ne viktimave shpresë,” shtoi ai.

Dhoma e apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë vendosi ditën e martë se kishte gabime serioze ligjore dhe faktuale në gjyqin që liroi nga akuzat Stanisiçin dhe Simatoviçin për krime lufte të kryera në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegoinë në vitin 2013.

Stanisiç, ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, dhe Simatoviçit, një ish-zyrtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, akuzohen se kanë qenë pjesë e një sipërmarrje të përbashkët kriminale, e cila kishte si qëllim të dëbonte me forcë dhe përgjithmonë jo-serbët nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës nga viti 1991 deri në vitin 1995.

Ata dyshohet të kenë kontrolluar njësitë më famëkeqe luftarake serbe në luftërat në Ballkan, përfshirë edhe “Tigrat” e Arkanit.

OJQ-ja me bazë në Zagreb Documenta – Qendra për Përballjen me të Kaluarën – tha se vendimi për të urdhëruar rigjykim të çështjes është e rëndësishme, sepse kjo “përfaqëson mundësinë që familjet e viktimave të gëzohen”.

“Është gjithashtu e rëndësishme për shkak të faktit shkatërrues se asnjë nga anëtarët e lidershipit të shtetit të Serbisë, me përjashtim të komandantëve të rangut të ulët të Ushtrisë Popullore Jugosllave, janë dënuar për krime të kryera në territorin e Republikës së Kroacisë,” tha Documenta në një deklaratë të martën.

Megjithatë Sudbin Musiç, një anëtar i Shoqatës së të Burgosurve të Ish-Kampit të Prijedorit ’92, tha për BIRN se ai ende ka pak shpresë të vihet drejtësi dhe nuk po e pret me padurim rigjykimin.

“Kjo është një agoni e re për viktimat dhe për pesë vitet në vazhdim do të dëgjojmë përsëri të njëjtat histori. E kaluara dhe agjenda nacionaliste do të trazohen përsëri dhe ne do të duhet të përballemi me pasojat e kësaj çdo ditë,” tha Musiç.

Stanisiç dhe Simatoviç, të cilët shiheshin si “njerëzit e Millosheviçit në terren” gjatë konflikteve, të dy e deklaruan veten të pafajshëm në gjyqin fillestar.

Ata u liruan pasi u liruan nga akuzat në vitin 2013, por Gjykata e Hagës ditën e martë urdhëroi që ata të ndalohen përsëri.