Gjykimi i ish-zyrtarëve të bankës NLB - Foto: KALLXO.com

Rigjykimi i ish-zyrtarëve të NLB-së, palët dhanë fjalën përfundimtare

Në gjykimin ndaj ish-zyrtarëve të bankës NLB, Burim Ademi, Ilir Kryeziu, Maliq Behluli dhe Besnik Delijaj, të cilët akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të pasurisë, kishin shkelur detyrën zyrtare me rastin e deponimit- afatizimit të parave nga klientët e dëmtuar, dy nga të akuzuarit thanë se qëndrojnë pranë marrëveshjes për pranim të fajësisë.

Gjatë kësaj seance gjyqësore, i akuzuari Burim Ademaj dhe Ilir Kryeziu deklaruan se kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë, Maliq Behluli dhe Besnik Delijaj, në gjykimin e sotëm u deklaruan të pafajshëm.

Mbrojtësi i të akuzuarit Burim Ademi, avokati Hazer Susuri, deklaroi se mbetet në tërësi pranë marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë të arritur ne mes të pandehurit Ademaj dhe Prokurorit të Shtetit, por shtoi se ka vërejtje për shqiptim e gjobës në shumë prej 8 mijë eurove. Ndërsa u pajtua për marrëveshjen lidhur me dënimin unik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

“Mbetem në tërësi pranë marrëveshjes mbi pranim të fajësisë, ndërsa për veprën penale përvetësim në detyrë për dënimin me gjobë prej 5 mijë euro nuk pajtohem, dhe për vepër penale shpërdorim i detyrës zyrtare, të shqiptuar me gjobë prej 3 mijë euro nuk pajtohem nga se  për këtë vepër nuk u caktua dënim komulativ”, tha avokati Susuri.

Për arritjen e marrëveshjes së fajësisë në mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Ilir Kryeziu, avokati i tij  Haxhi Millaku tha se e mbështet këtë marrëveshje.

Ai më tutje shtoi se edhe vërejtjen e Gjykatës së Apelit e mbështet lidhur me dënimin me gjobë prej 7 mijë eurove, duke e konsideruar se dënimin prej 3 vite burgim të aprovohet nga Gjykata, duke hequr pjesën e dënimit me gjobë sipas rekomandimeve të Gjykatës së shkallës së dytë.

“Mbështes marrëveshjen për pranim të fajësisë, mbështes vërejtjen e Gjykatës së shkallës së dytë lidhur me dënimin me gjobë prej 7 mijë euro, duke e konsideruar se dënimin prej 3 vite burgim të aprovohet nga Gjykata duke hequr pjesën e dënimit me gjobë sipas rekomandimeve në aktvendim të Gjykatës së Apelit”, tha avokati Millaku.

Përfaqësuesi i NLB-së, Ardian Kadriaj, deklaroi se duke pasur parasysh dëmin e madh – rreth 1 milion euro, pa e llogaritur shumën e të dëmtuarit Rahim Kolgeci, i kërkoi Gjykatës që gjatë rivendosje ta ketë parasysh rekomandim e Gjykatës se Apelit.

Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli aprovoi marrëveshjen e negociuar për pranim  të fajësisë  e lidhur në mes Prokurorisë me te akuzuarit Burim Ademaj dhe Ilir Kryeziut, dhe e precizuar në seancën e së martës.

Pasi që të akuzuarit Maliq Behluli dhe Besnik Delijaj nuk e pranuan fajësinë për veprat penale për të cilat po akuzohen,  në pyetjet e trupit gjykues se a pranoni fajësinë, të akuzuarit Maliq Behluli dhe Besnik Delijaj u deklaruan të pafajshëm.

Të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre në lidhje me fjalën hyrëse dhe përfundimtare deklaruan se mbeten në tërësi pranë fjalëve të dhëna në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Ndërsa prokurori i shtetit  në fjalën përfundimtare tha se mbetet pranë fjalës së dhënë në shqyrtimin e kaluar dhe i propozoi Gjykatës që ndaj të akuzuarve Besnik Delijaj dhe Maliq Behluli për veprat për të cilat po akuzohen të shpallen fajtorë.

Edhe përfaqësuesi i bankës NLB, në fjalën përfundimtare në seancën e sotme tha se mbetet në tërësi pranë fjalës së dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Gjithashtu edhe e përfaqësuesja e palës së dëmtuar Rahim Kolgecit, avokatja Shpresa Berisha në fjalën përfundimtare  tha se  mbështet fjalën e prokurorit, si dhe shtoi se do të parashtrojë kërkesa pasurore juridike.

Në fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Burim Ademaj, avokati Hazer Susuri, tha se pajtohet me marrëveshjen për pranim fajësisë dhe me dënimin unik prej 3 vite e 6 muaj burg.

Edhe avokati Haxhi Millaku mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Kryeziu në fjalën përfundimtare tha se mbetet në tërësi pranë fjalës të shqyrtimit të parë gjyqësor.

Gjithashtu, ai shtoi se pajtohet dënimin me burgim prej 3 vitesh.

Ndërsa në fjalën përfundimtare  mbrojtësit e të akuzuarit Maliq Behluli dhe Besnik Deliaj, avokatët Hasan Jashari dhe Ethem Rugova, thanë se mbesin ne tërësi pranë fjalës së dhënë në shqyrtim e kaluar dhe i  propozuan Gjykatës që në mungesë të provave ndaj të akuzuarve të sjell aktgjykim lirues.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 8 shkurt.

https://kallxo.com/denohen-burgim-tre-ish-punonjes-te-bankes-nje-lirohet/

Ky rast është kthyer në rigjykim.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në  janar të vitit të kaluar të akuzuarit Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, dhe Besnik Delijaj janë shpallur fajtorë.

Burim Ademaj ishte dënuar me dënim unik prej 3 vite 6 muaj burgim, dhe Ilir Kryeziu me dënim unik prej 3 vjet burgim dhe dënim me gjobë prej 7 mijë euro, Besnik Delijaj ishte dënuar me 2 vjet burgim.

Kurse të akuzuarin Maliq Behluli Gjykata e shkallës së parë e kishte liruar nga akuza, me arsyetimin se nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ndërsa ndaj Miradije Morinës, Gjykata ka nxjerrë aktgjykim refuzues pasi që prokurori i çështjes gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte hequr dorë nga ndjekja e mëtejme penale.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, akuzohen se kishin shpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë.

Ata akuzohen se kanë shkelur detyrën zyrtare me rastin e deponimit–afatizimit të parave nga klientët e dëmtuar, duke përfituar kështu përmes përvetësimit të shumave të mëdha të të hollave.

Burim Ademaj pretendohet se në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës të bankës NLB, ka kryer veprat penale përvetësim në detyrë dhe mashtrim.

I akuzuari Ilir Kryeziu, në cilësinë e arkëtarit – këshilltarit të klientëve të ekspoziturës së NLB, ngarkohet me veprën penale – përvetësimi në detyrë.

Ndërsa Maliq Behluli dhe Besnik Delijaj akuzohen se sa ishin në cilësinë e arkëtarit të ekspoziturës së NLB-së  kishin kryer veprën penale përvetësimi në detyrë.

Prokuroria, po ashtu ka bërë ricilësim të aktakuzës, duke e përfshirë edhe të pandehurën Miradije Morinën, punonjëse e kësaj banke, në degën e Suharekës e cila akuzohet se në bashkëkryerje ka përvetësuar në detyrë.