I akuzuari Granit Elshani sot në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Rigjykimi i Granit Elshanit, polici rrëfen a ishte hapur zarfi me revolen e të akuzuarit

Në rigjykimin e Granit Elshanit, i cili po akuzohet për vrasje në diskotekën “City Club”, në Pejë, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua zyrtari policor i cili e kishte dërguar për ekzaminim pistoletën e cila i ishte gjetur të akuzuarit.

Granit Elshani akuzohet se kishte hyrë në diskotekën “City Club” dhe kishte shtënë me pistoletë, pas të cilave të shtëna ishin plagosur tre persona dhe një kishte mbetur i vrarë.

Disa orë pas ngjarjes Policia e Kosovës kishte kryer bastisje në fshatin Ramun të Pejës, në shtëpinë e Tahir Hysenit, të afërmit të të akuzuarit Granit Elshani.

Në lidhje me atë bastisje kishte përpiluar raport polici Ismet Fetaj.

I pyetur nga avokatja Kosovare Kelmendi se a kishte qenë pjesë e bastisjes vetë ai, polici Fetaj tha se nuk ka qenë pjesë e bastisjes.

Në pyetjet e avokates, dëshmitari Fetaj u përgjigj se të nesërmen kishte kuptuar se Granit Elshanit i ishte gjetur një pistoletë.

I pyetur nëse e kishte parë pistoletën, dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet saktë, por që në foto ka mundësi ta ketë parë.

Dëshmitari deklaroi në Gjykatë se pistoletën në fjalë e kishte marrë të mbyllur nga zinxhiri i ruajtjes së dëshmive dhe e kishte dërguar për ekzaminim.

Lidhur me këto veprime, avokatja mbrojtëse Kosovare Kelmendi shfaqi dyshime se zarfi i pistoletës ishte hapur.

Lidhur me këto dyshime e pyeti dëshmitarin se a e ka parë dhe a ka qenë i hapur zarfi, pasi në raport thuhet se zarfi ishte i hapur në qoshe dhe i mbyllur me kapëse.

Dëshmitari Ismet Fetaj në lidhje me dyshimet e avokates deklaroi se arma ka qenë e mbyllur dhe se armën nuk e ka parë fizikisht.

“Arma ka qenë e mbyllur me shirita, të dhënat në lidhje me të i kam marrë prej zinxhirit të ruajtjes. Nuk me kujtohet më shumë. Krejt çka më kujtohet e kam shkruar në raport”, tha dëshmitari.

Në ketë proces gjyqësor, njëri nga pjesëtarët e familjes Elshani, Graniti, po gjykohet për njërën nga ngjarjet më tragjike të qytetit të Pejës, në të cilën kishte mbetur i vdekur një person dhe ishin plagosur tre të tjerë, në mesin e të cilëve ishte edhe një pjesëtar i familjes Kelmendi.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur në natën e dytë të vitit të ri 2010.

Atë natë shumë pejanë kishin zgjedhur diskotekën “City Club” për ta festuar vitin e ri. Në mesin e tyre ishte edhe Valdet Kelmendi, i njohur si “Lara”.

Festa e pejanëve ishte kthyer në tragjedi pasi brenda asaj diskoteke kishte hyrë edhe një person i armatosur, i cili kishte filluar të shtinte.

Cak i këtyre të shtënave sipas Prokurorisë ishte Valdet Kelmendi, pjesëtari i familjes Kelmendi e cila ka qenë në hasmëri me familjen Elshani që nga viti 2000.

Atë natë Valdet Kelmendi kishte mbetur i plagosur.

Të plagosur kishin mbetur edhe Arta Bardhi dhe polici Hasan Buqaj, ndërsa nga të shtënat vdekjen e kishte gjetur Besart Shabi.

Prokuroria pretendon se personi i cili festën e natës së dytë të vitit të ri e ktheu në tragjedi ishte Granit Elshani.

Për këto pretendime në maj të vitit 2018 Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim.

Mirëpo vendimi i Themelores nuk e mori aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim, raporton KALLXO.com.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se secili nga dëshmitarët e ka përshkruar në mënyra të ndryshme pamjen e personit i cili ka shtënë me armë, andaj me qëllim që të eliminohen këto paqartësi Apeli ka kërkuar që ky rast të gjykohet edhe një herë.

Rigjykimi ndaj Granit Elshanit pritet të fillojë nesër në Gjykatën e Pejës.

Historia e konfliktit mes familjeve Elshani e Kelmendi që la 23 të vrarë

Sipas Prokurorisë Speciale në konfliktin mes këtyre dy familjeve kanë ndodhur 29 sulme, të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit.

Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Sulmi i 30-të besohet se ndodhi një natë para vitit të ri 2019 tek parku i vogël i qytetit, ku Xhevdet Kelmendi ishte duke lëvizur me veturë së bashku me shokun e tij Besim Lajqin.

Nga ky sulm mbeti i plagosur Besim Lajqi, ndërsa prokurorja tha se cak i sulmit ishte Xhevdet Kelmendi.

“Unë po supozoj që ai ka qenë cak i sulmit. Ende nuk kam të dhëna te sakta por supozimet tona çojnë në atë drejtim”, kishte thënë prokurorja Sahide Gashi.

Besim Lajqi është i plagosuri i 39-të i këtij konflikti, pasi para plagosjes së tij sipas Prokurorit të EULEX, kanë qenë të plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja  Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.