Ura e Ibrit. Foto: BIRN

Rifillon Puna në Urën që Simbolizon Ndarjen e Kosovës

Ka rifilluar puna në Urën e Ibrit në qytetin e ndarë të Mitrovicës në Kosovë, e cila u ndal në prill të vitit të kaluar.

Më pak se një vit pas ndërprerjes së punës në urën që ndan pjesën jugore dhe atë veriore të qytetit të Mitrovicës në Kosovë në prill 2017, puna për përfundimin e urës ka filluar përsëri.

Që nga lufta e Kosovës në vitin 1999, Mitrovica ka mbetur një qytet i ndarë, me vijën e ndarjes mes shumicës shqiptare në jug dhe asaj serbe në veri përgjatë lumit Ibër.

Ura kryesore mbi lum ka mbetur një pikë e ndezur për shumë incidente pas konfliktit të armatosur – dhe është një simbol i ndarjes etnike të Kosovës.

Rihapja e Urës së Ibrit të Mitrovicës për trafikun ishte një nga temat kryesore të dialogut teknik të udhëhequr nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel.

Ndërkohë që rifillimi i punës në këtë urë me rëndësi simbolike është lavdëruar nga zyrtarët e BE-së në Kosovë, kjo gjë s’është pritur mirë nga autoritetet në pjesën me shumicë serbe të qytetit.

Në seancën e djeshme të asamblesë komunale, Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, shënoi rinisjen e punimeve në Urën e Ibrit si një çështje sigurie që duhet marrë në konsideratë.

Ishte me kërkesën e tij, pas disa incidentesh pas rrëzimit të një muri betoni në anën veriore të urës në mars 2017, që ndërtimi u ndal një muaj më vonë.

Punë “e lehtë” për punëtorë të dëshpëruar

Foto: BIRN

Megjithatë, puna në rrethrrotullimin që lidh rrugën “Mbreti Petar” me Urën e Ibrit duket të vazhdojë pa ndonjë problem tani.

“Kjo që kemi këtu është punë e lehtë dhe do të mbarojë brenda pak ditësh,” tha një nga punëtorët, Latifi, nga Prizreni. “Do të hedhim edhe një shtresë tjetër rërë për nivelim dhe pastaj do të hedhim sipër asfaltin.”

Latifi ka shumë vite që punon në ndërtim dhe kujton ditë më të mira. Ai buzëqesh kur e pyesin për mbrojtjen mjekësore dhe sociale: “Nëse lëndohesh, shkon në shtëpi dhe e trajton veten mënyrën më të mirë që mundesh. Askush nuk i mbron punëtorët.”

Pagat për punën e ndërtimit variojnë nga pesë deri në 10 euro në ditë. “Është punë e vështirë dhe duhet të hash mirë për këtë punë. Nëse blen ndonjë gjë në dyqan, çfarë do të çosh në shtëpi pastaj? Asgjë!”.

Edhe kolegët e tij në vendin e ndërtimit janë të shqetësuar në lidhje me çështjet e sigurisë, por jo nga ato që përmenden shpesh në lidhje me ndarjen etnike, pasi firmat shqiptare dhe serbe tani punojnë në të dyja anët e lumit Ibër.

“Vitin e kaluar, rreth 17 punëtorë vdiqën në vendet e ndërtimit në të gjithë Kosovën,” tha një nga punëtorët që nuk donte ta jepte emrin e tij.

“Dëgjova se rinisën gjithashtu punimet në ndërtesën pranë spitalit në veri të Mitrovicës dhe një nga punëtorët ra nga skela dhe vdiq vitin e kaluar. Kështu ndodh. Je i lumtur nëse të paktën e ke një punë,” shtoi ai.