Foto: Facebook

Rexhepi: Do ta Kemi Xhaminë më të Bukur në Ballkan

Resul Rexhepi nga Bashkësia Islame e Kosovës – BIK, para asamblistëve të Prishtinës, ka thënë se projekti i Xhamisë Qendrore është ndër më të bukurit në Ballkan.

Në diskutimin që është duke ndodhur në Kuvendin Komunal për projektin e Xhamisë Qendrore, ku po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e BIK-ut, kryetari i Shpend Ahmeti ka thënë se ky projekt pritet të kushtojë deri në 40 milion euro.

“Kam obligim të jua përcjellë selamet e Bashkësisë Islame të Kosovës,  të myftiut Tërnava. Debati për Xhaminë Qendrore, ka nisur këtu e 17 vjet më parë që nga çlirimi i vendit.

Ka dashur Zoti që në vitin 2012 të na gëzojë me dhurimin e lokacionit.

Besoj që nuk ka nevojë ta paraqes para jush nevojën e Xhamisë Qendrore në kryeqytet. Në Ballkan e rajon vetëm Prishtinës i mungon Xhamia Qendrore”, ka deklaruar Resul Rexhepi nga BIK.

Ai ka thënë se kryeqytetit i ka hije një xhami madhështore.

“Xhamia është e besimtarëve. Përkundër iniciativës për përmirësimet e mundshme në projekt, megjithatë puna na është shtyer deri sot. Ky vend ka qeveri ky shtet ka qeveri ka komuna, por nuk ka qenë tendencë e jona të shfrytëzojmë ndonjë vakum. Kryeqytetit i ka hije i duhet një xhami madhështore e cila do të ngërthente në veten e saj edhe traditën dhe ta kemi pjesë të trashëgimisë tonë”, ka thënë Rexhepi.

Tutje Rexhepi ka shtuar se xhamia do të jetë më e madhja në Ballkan.

“Xhamia do të jetë më e madhja në Ballkan dhe e them me shumë përgjegjësi. Nëse e kemi përkrahjen tuaj atëherë do ta kemi xhaminë më të madhe në Ballkan. Kemi nevojë për përkrahjen tuaj, mbështetjen tuaj. Ne e kemi zgjedhur një xhami shumë të bukur dhe ne e dimë shumë më mirë se çka na duhet në këtë kohë”, ka thënë përfaqësuesi i BIK-ut Resul Rexhepi para asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës ku po diskutohet për projektin e Xhamisë Qendrore.