Rexhep Selimi kërkon nga Haradinaj të merret me problemin që banorët e Çikatovës së Vjetër e kanë me Feronikelin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka paraqitur një problem me shpronësim të banorëve të Qikatovës së vjetër të Komunës së Drenasit.

“Ata kanë një problem shumë të madh me pronat e tyre, të cilat pas privatizimit të Ferionikelit i kanë kaluar Feronikelit por nuk janë shpronësuar, bëhet fjalë për 40-60 hektarë tokë të këtij fshati të cilin Feronikeli don t’i eksploatojë”, tha ai.

Selimi ka kërkuar që të merren masa në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi për të cilin tha se banorët janë të shqetësuar.

“Banorët nuk kanë marrë asnjëherë asnjë lloj shpronësimi me të gjitha negociatat që kanë pasur mes banorëve, komunës, apo edhe vet Feronikelit, prandaj kërkoj që me këtë çështje të merret qeveria e Kosovës, duke kërkuar që vet kryeministri të merret me këtë çështje sepse kam bindjen që ai mund ta zgjidhë, sepse bëhet fjalë për disa parcela”, tha ai.

Sipas tij, kjo situatë i ka lënë banorët në gjendje shumë të keqe pasi që duhet vet të qëndrojnë përpara eskavatorëve për të mbrojtur pronat.

“Në këtë situatë janë të detyruar që të qëndrojnë në formën e protestës para eskavatorëve që ta mbrojnë pronën e tyre, unë bëjë thirrje qeverisë dhe Komunës që të kalojnë në anën e qytetarëve që ti shohin ata”, tha Selimi.