Rexhep Selimi e Daut Haradinaj Nderojnë të Vrarin në Deçan

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, e ka quajtur të lavdishme veprën dhe jetën e Ilmi Lufajt, i cili u qëllua nga një pjesëtar i Policisë në vetëmbrojtje mëngjesin e së hënës.

Në fjalimin e tij në mbledhjen komemorative të mbajtur në sot Deçan, Selimi i ka përshëndetur të pranishmit duke përmendur luftën e pasluftën.

“Heshtja që po mbretëron këtu ka një kuptim, presim që drejtësia të mos heshtë, lufta vërtetë ishte e rëndë, por edhe paslufta ishte e tillë andaj, lavdi i qoftë jetës dhe veprës së Ilmiut“, ka thënë Selimi.

Edhe deputeti i AAK-së Daut Haradinaj ka marrë fjalën në këtë mbledhje komemorative të organizuar para varrimit të Lufajt.

Haradinaj ka porositur veteranët, invalidët dhe kategoritë e dala nga lufta që të jenë të kujdesshëm për mënyrën se si i trajtojnë organet e rendit.

“Tash e tutje ushtarin e UÇK-së e mbron ligji, njëjtë sikurse uniformën, njëjtë sikurse çdo institucion tjetër, por edhe ushtari edhe veterani edhe invalidi duhet të jenë të kujdesshëm që ta respektojnë rendin ligjor në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka dhënë kritika për mënyrën se si ushtarët e UÇK-së ishin trajtuar nga administrata e UNMIK-ut duke e quajtur betejë atë që përjetuan ushtarët e UÇK-së pasluftës.

Sipas Haradinaj, kjo betejë ndikoi në psikologjinë e Ilmiut.

“Paslufta u kthye në një betejë edhe më të rëndë sesa lufta ku jomiqësorët e Kosovës i diskriminuan, i larguan e i kundërshtuan bashkëluftëtarët tanë  duke mos u dhënë rast që t’i shërbejnë vendit”, ka thënë Haradinaj.

Për deputetin e AAK-së, i vrari nga policia do kujtohet çdo herë si pjesëmarrësi i çdo beteje të Dukagjinit.

“Është e vërtetë se në luftë kur bie një luftëtar është e lavdishme por në paqe është e dhimbshme. E dhimbshme është edhe rënia e Lufajt që do të kujtohet e nderohet si ‘Lufi i Luftës” ka thënë Haradinaj.

Luftaj u qëllua për vdekje mëngjesin e hënës në afërsi të stacionit policorë të Deçanit.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dorasi i ngjarjes është një pjesëtar i Policisë së Kosovës i cili shtiu ndaj Lufajt në vetëmbrojtje.

Varrimi i Lufajt është paraparë të mbahet sot pasdite në komunën e Deçanit.