Foto: KALLXO.com

Rexhep Hoti nuk tregon emrat e autorëve të 'Testit të Diturisë' me gabime

Koordinatori Nacional për Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, SHyqiri Bytyqi, ishin thirrur sot të raportojnë në Komisionin për Arsim në lidhje me realizimin e këtij programi si dhe për mbajtjen e “Garës së Diturisë”

Anëtarët e këtij komisioni patën shumë pyetje dhe kritika ndaj tij, por pak prej tyre morën përgjigje për pyetjet e adresuara.

Anëtarja e VV-së në këtë komision, Arbërie Nagavci, kërkoi nga Hoti që të dijë se kush janë ekspertët e angazhuar dhe kërkoi sqarime rreth gabimeve përmbajtësore të testit.

“Koordinator, na keni sjellë shumë materiale por nuk ishin të gjitha testet dhe i kërkova disa teste ku janë bërë publike gabime të shumta nuk ishin aty. Sa mjete janë shpenzuar deri tani komplet? Ka pasë teste janë dëshmuar gabime përmbajtjesore.”, shtoi Nagavci.

Ndërsa, Hoti tha se shërbimet janë kryer nga Qeveria, kurse emrat e ekspertëve nuk pranoi që t’i tregojë me arsyetimin se janë konfidencialë.

“Ekspertët janë mësimdhënës, profesorë të universiteteve të ndryshme të cilët e kanë bërë përpilimin e teste. Emrat nuk mund t’ua them sepse janë konfidencialë”, tha Hoti.

Nagavci po ashtu kërkoi sqarim nga Hoti përse në Testin e Diturisë janë të përfshirë grup mosha 1-5 vjet, pasi sipas saj titulli i programit është për rini, por për këtë nuk pati përgjigje.

Pyetjet të tjera ishin nga deputetët Driton Çaushi i PSD-së e Valentina Bunjaku- Rexhepi nga LDK.

Çaushi tha se pse e ka parë të nevojshme të bëhet një projekt i tillë, ndërsa Bunjaku- Rexhepi tha se Hoti po tenton të marrë postin e ministrit të Arsimit dhe se nuk ka kompetenca për organizimin e kësaj gare.

Ndërsa, kryesuesi i komisionit Ismajl Kurteshi shtroi çështjen e komunave të veriut në përfshirjen e testit, e që mori përgjigjen se vënia e taksës ka penguar punën e realizimit.

Albulena Halimi anëtare nga Nisma Socialdemokrate u interesua të dijë nëse kanë pasur aprovimin e MAShT-it për testet.

Megjithatë, ata nuk morën përgjigjet e të gjitha pyetjeve. Krejt çka tha Hoti është se “e gjithë procedura është në bazë të Kushtetutës së Kosovës”.

Hoti i pyetur nga anëtari i LDK-së në këtë komision, Fidan Rekaliu se a ndjen veten fajtor për mos realizim të duhur të garës së diturisë, tha se nuk e ndjen një gjë të tillë.

“Ky program është i pari në rajon dhe në Evropë që ka përmasa kaq të mëdha të përfshirjes së nxënësve në gara, asnjëherë në Kosovë nuk ka ndodhur një gjë e tillë dhe s’ndjehem aspak fajtor, është projekti më i madh ballkanik”, tha aii

Kurse, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se nuk mbanë asnjë përgjegjësi për mbajtjen e këtij testi, pasi sipas tij MAShT ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi vetëm për lejimin e shfrytëzimit të institucioneve shkollore.

“Duhet ta pyesni koordinatorin se a duhet me u mbajtë a jo. Ne vetëm i kemi lejuar qasje në instuticione tona sepse këtë vendim e ka marrë Qeveria e Kosovës dhe ne duhet ta zbatojmë”, tha Bytyqi.

Hoti ishte emëruar si koordinator më 29 maj të vitit të kaluar, ku për realizimin e këtij programi Qeveria e Kosovës i ka ndarë 1 milion euro nga buxheti i saj.

Kurse, për realizimin e garës së diturisë për nxënës ka ndarë Qeveria mbi 43 mijë euro vetëm për printim.

https://kallxo.com/kordinatori-nacional-tregon-sa-para-u-harxhuan-per-garen-e-diturise/

Programi Nacional për Rininë ka filluar në fillim të këtij viti, ndërsa Gara e Diturisë u mbajtë javën e kaluar.

Kjo garë pati shumë kritika dhe u mbajt në shumicën e shkollave të Kosovës.

https://kallxo.com/gara-e-diturise-me-probleme-mbahet-ne-95-te-shkollave/