Uji në liqenin e Batllavës ka arritur nivelin më të lartë - Foto: Facebook

Reshjet e Shiut Turbullojnë Ujin

Reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit përveç që kanë mbushur në pikën më të lartë liqenet prej nga furnizohen me ujë Prishtina dhe qytetet përreth, ato kanë ndikuar edhe në turbullimin e ujit.

Megjithatë, kryeshefi ekzekutiv i KUR “Prishtina”, Ilir Avdullahu, thotë se kualiteti i ujit me të cilin po furnizohen qytetarët është brenda standardeve.

Avdullahu tha se dje kanë pasur probleme sa i përket kanalit të Ibër-Lepencit dhe fabrika në Shkabaj për disa orë nuk ka punuar.

“Nga këto të reshura problemet më të mëdha janë në Drenas, ku prej të njëjtit kanal merr edhe fabrika për përpunimin e ujit, ku për shkak të shkallës së madhe të turbulitetit ka bërë që tash në orët e vona të fillojë prodhimi edhe atje”, tha Avdullahu.

Avdullahu e pranon se në pjesë të tjera ka një shkallë të turbullimit të ujit, por sipas tij e mira është që po mbushen liqenet, gjë që nënkupton se do të ketë furnizim dhe stabilitet të furnizimit gjatë periudhës së verës.

Kryeshefi ekzekutiv i KUR “Prishtina” premtoi se nuk do të prodhojnë asnjë litër ujë jashtë normave dhe se për çdo problem eventual me kohë do të njoftohen qytetarët.

Në linkun e mëposhtëm mund të gjeni intervistën e plotë me Ilir Avdullahun./21Media