Albena Reshitaj, ish Ministre, MMPH

Reshitaj- Haki Abazit: Nuk kam nënshkruar dokumente në dëm kombëtar

Në emisionin e fundit të “Jeta në Kosovë” u debatua për gjetjet e analizës së Hekuran Muratit për zgjatjen e pistës së aeroportit që sipas tij po i humb miliona shtetit.

Në debatin e organizuar për këtë çështje u fol edhe për kontrata të tjera që përfunduan me dëme financiare për shtetin e Kosovës.

Analisti Haki Abazi konsideroi se kontratat e dëmshme për shtetin e Kosovës nuk janë nënshkruar nga mosdija por për qëllime përfitimi.

Abazi po ashtu tha se qeveria e tanishme nuk mund të shfajësohet me faktin që nuk kanë qenë në pushtet në kohën e nënshkrimit të kontratave.

“Këta ndihen shumë konfort sepse për 20 vjet janë vjedhë me qindra miliona euro, janë shitur asete të shtetit falë e u ble asfalt shtrenjtë”, ka thënë Abazi.

Për këto deklarata ka reaguar ish ministrja e Ambientit Albena Reshitaj, duke thënë se asnjëherë nuk ka nënshkruar asnjë dokument në dëm kombëtar.

“Mbrëmë në emisionin “Jeta në Kosovë” jam apostrofuar nga z.Haki Abazi i ftuar si mysafir në debatin e zhvilluar aty. Për të informuar drejtë opinionin publik, dua ta njoftoj z.Abazin por edhe opinionin e gjerë se gjatë kohës sa kam drejtuar MMPH, asnjëherë nuk kam marr ndonjë vendim në dëm të interesit nacional të vendit dhe qytetarëve. Përkundrazi gjithmonë vendimet e mija kanë qenë në plotëni me Kushtetutën dhe ligjet e aplikueshme në vend”, ka shkruar Reshitaj.

Ajo tha po ashtu ka shkruar se kontratat për shpronësimin e tokave në Brezovicë nuk janë nënshkruar nga ajo dhe se dokumentet për këtë janë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Për temën në fjalë që ka të bëjë me shpronësimin e tokave në Brezovicë, i them z.Abazit që atë vendim për të cilin ai flet me aq siguri, nuk është nënshkruar nga unë si ministre e asaj kohe dhe kjo fare lehtë mund të verifikohet sepse ato vendime ndodhen në arkivin e MMPH. Përkundrazi unë kam proceduar në Qeveri në afat ligjor anulimin e këtij vendimi, me ç ‘rast  i janë shpëtuar buxhetit të Kosovës afër 30 milion euro. Shpreh keqardhjen time për pa informimin e saktë të z.Abazit apo edhe ndoshta keq-informimin e tij. Gjithashtu ua bëj me dije që askush nuk mundet mua të më detyroj të veproj kundër ligjit dhe interesave të vendit”, ka shkruar Reshitaj.

E analisti Haki Abazi përmes një publikimi në rrjetin social ka thënë se në emisionin “Jeta në Kosovë” asnjëherë nuk e ka përmendur se ato dokumente i ka nënshkruar Reshitaj.

“Albena, Faleminderit që ke shkruar, në asnjë moment nuk kam thënë që ti e ke nënshkruar. Në fakt dy herë kam thënë që është kërkuar nga ti dhe kanë tentuar të të detyrojnë dhe si rezultat i presionit ke dhënë dorëheqje. E natyrshme se po ta nënshkruaje nuk do të kishit dhënë dorëheqje dhe kjo është shumë e qartë. Është e drejtë e jotja me reagu në deklarata publike dhe nuk e marr aspak për të keq. Fatkeqësisht në jetën publike e sidomos kur afrohesh afër njerëzve të këqij e të rrezikshëm për vendin nuk ka se si të mos mbarten pasojat e të qenurit afër dhe në bashkëpunim me të njëjtit. Në fakt niveli i korrupsionit edhe aty ku tani në aksionin në pastrimin e Kosovës  është i natyrës së njëjtë por sigurisht që fondet janë shumë më të vogla”, ka deklaruar Abazi.

 

Qeveria me Limakun vazhdojnë Aksham Pazarin

 

www.KALLXO.com