
Matteo Renzi - Foto: REL/EPA
Renzi Jep Dorëheqje Pas Disfatës në Zgjedhje
05.3.2018 - 20:27
Matteo Renzi, kryetar i Partisë Demokratike në Itali, ka dhënë dorëheqje sot nga drejtimi i partisë, pas disfatës në zgjedhjet parlamentare.
Renzi, 43 vjeçar, gjithashtu ka thënë se beson që partia e tij nuk duhet të bëjë marrëveshje paszgjedhore me “partitë ekstremiste” dhe se duhet të qëndrojë në opozitë këtë mandat, raporton agjencia Reuters.
Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielën në Itali, asnjë parti nuk ka fituar votat e nevojshme që të qeverisë e vetme.
Ndërkaq, në epërsi ka dalë koalicioni i krahut të djathtë i ish-kryeministrit Silvio Berlusconi. Formimi i Qeverisë së re në Itali, pritet të marrë disa javë kohë. (REL)