Pamje nga tryeza e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane - Foto: Facebook

Rënie Drastike e Ekonomisë Joformale

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës thanë sot në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane se ndonëse ka një rënie të numrit të bizneseve që operojnë ilegalisht, ka shumë të tilla që nuk janë regjistruar fare.

Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Punës, dha shifra për rënien, sipas tij rapide, të numrit të bizneseve që veprojnë ilegalisht.

“Si problem janë kompanitë apo bizneset që nuk janë të regjistruara fare. Të tilla në vitin 2009 kemi hasur 289 subjekte të paregjistruara, të cilat i kemi obligu të regjistrohen si biznese të rregullta. Në vitin 2014 janë 336. Rënie drastike ka pasur në vitin 2015 – vetëm 51 raste. Kurse në vitin 2016 i kemi 5 raste, edhe pse nuk mund t’i referohemi kësaj shifre sepse këtë vit e kemi ndërru metodologjinë e inspektimit”, tha kryeinspektori i Punës.

Po ashtu, sipas Ibrahimit, ka një rënie të numrit të punëtorëve që punojnë pa kontrata pune.

“Në vitin 2013 kanë qenë 3,371 punëtorë pa kontrata pune. Në vitin 2014 kanë qenë 2,715. Në vitin 2015 kanë qenë 1,863, kurse në këtë dhjetëmujor kanë qenë 1,100 punëtorë pa kontrata pune”, tregoi ai.

Ndërsa, shefi i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, tha se shkalla e ekonomisë joformale në Kosovë është diku rreth 29% deri në 35%.

“Shkalla e ekonomisë joformale në Kosovë sillet diku prej 29 deri në 35 %. Thuja se 1/3 e buxhetit të Kosovës i takon ekonomisë joformale dhe është një sfidë jashtëzakonisht e madhe për Qeverinë dhe në mënyrë të veçantë për ATK-në. Në shkallë të gjerë ekonomia joformale dëmton interesat fiskale, interesat e qytetarëve të Kosovës dhe në mënyrë të padrejtë krijon rregulla jo të drejta në konkurrencën e bizneseve”, theksoi drejtori i përgjithshëm i ATK-së.

Shefi i Administratës Tatimore tha po ashtu se luftimi i ekonomisë joformale nuk duhet të jetë detyrë vetëm e zyrtarëve të ATK-së, por edhe e institucioneve të tjera.

“Vetëm gjatë këtij viti ne kemi arritë që nga pjesa joformale të kemi mbi 2,700 të punësuar që i janë kthy anës formale të të bërit biznes. Diku rreth 50 milionë të hyra më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, tha Sakip Imeri.

Sipas tij, fokusimi më i madh i inspektimit ka qenë në sektorin e ndërtimtarisë për shkak të natyrës dhe vetë veprimtarisë, meqë ndërtimtaria është sektori me numrin më të madh të vdekjeve në vendin e punës.

“Këtu po shihet vetëdijesimi i punëdhënësit për legalizimin e punëtorëve të vet dhe pajisja e punëtorëve me kontrata pune. Kjo nuk është vetëm çështje e institucionit, por çështje e ngritjes së një kulture dhe vetëdijes së punëdhënësit për respektimin e ligjeve dhe në radhë të parë aplikimin e asaj kontrate në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit. Dhe kjo vetëdije po ngritet gjithnjë e më shumë”, ka thënë Basri Ibrahimi.

Pavarësisht këtyre statistikave të ofruara nga zyrtarët e institucioneve shtetërore, hulumtimi i emisionit “Jeta në Kosovë“ jep fakte se si kompani me emër në Kosovë kryejnë evazion fiskal në vlera milionëshe përmes kompanive fiktive.

Dy emisionet e para të “Jeta në Kosovë” rreth vjedhjes së organizuar tatimore mund t’i shikoni në linqet e mëposhtme:

Redaktoi: Naser Sertolli