I akuzuari për krime lufte, Remzi Shala | Foto: Drejtësia në Kosovë

Remzi Shala: S’kam Lidhje me Rastin e Haxhi Përteshit

Remzi Shala që gjatë luftës mbajti nofkën “Molla e Kuqe” në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” mohoi se ishte i përfshirë në privimin nga liria të Haxhi Përteshit në qershorin e vitit 1998.

Prokuroria Speciale më 19 tetor 2016 ngriti aktakuzë ndaj Remzi Shalës për krime lufte ndaj popullatës civile.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Në aktakuzë thuhet se Remzi Shala-“Molla e Kuqe” i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

http://kallxo.com/aktakuze-per-krime-lufte-ndaj-ish-ushtarit-te-uck-se/

Por Shala në “Drejtësia në Kosovë” tha se nuk ka gisht në vdekjen e Haxhi Përteshit. Ai deklaroi se akuzat që i janë veshur janë të pavërteta, pasi sipas tij asnjëherë nuk e ka njohur  tashmë të ndjerin Haxhi Përteshi dhe as nuk ka qenë kurrë në shtëpinë e tij gjatë luftës.

Aktakuza ndaj Remzi Shalës të njohur me nofkën “Molla e Kuqe” u ngrit pas denoncimit të tij nga Agron Përteshi, djali i Haxhi Përteshit, por Shala në emision mohoi se e ka takuar ndonjëherë gjatë luftës denoncuesin e tij.

Në nëntor të vitit të kaluar në dy vazhdime emisioni “Drejtësia në Kosovë” solli rrëfimin dhe detajet për marrjen në shtëpitë e tyre të Ramiz Hoxhës e Selman Binishtit në Bellanicë të Malishevës më 2 tetor 1998.

Edhe Hoxha e Binishi, sikurse Haxhi Përteshi ishin vrarë më pas nën akuzat se ishin bashkëpunëtorë të forcave serbe.

http://kallxo.com/prova-te-reja-per-vrasjen-e-bellanices-ne-vitin-1998/

Për vrasjen e këtyre dy personave është duke u gjykuar ish-komandanti i Brigadës 121 të UÇK-së Fatmir Limaj, i cili edhe në emision, por edhe në gjykatë mohoi këto vrasje.

http://kallxo.com/limaj-u-hetova-4-per-vrasjen-e-ramiz-hoxhes/

http://kallxo.com/fatmir-limaj-deklarohet-pafajshem/

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu.