Marjan Dema, rektor i UP-së - Foto: KALLXO.com

Rektori Marjan Dema, rrit të hyrat e tij me shtesa e mëditje

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i është shtuar pasuria e paluajtshme dhe të hyrat në pagë krahasuar me vitin paraprak. Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Dema ka shtuar pasurinë e tij të paluajtshme edhe me një banesë në vlerë prej 45 mijë euro.

Në total pasuria e paluajtshme e tij, arrin vlerën prej 277 mijë e 600 euro për shtëpi dhe truall, tokë 2.20 hektarë, dy banesa dhe dy lokale.

Rektori i UP-së, këtë vit ka shtuar edhe të hyrat e tij nga paga, shtesat, mëditjet jashtë vendit për afro 7 mijë euro. Deri sa në vitin 2017 kishte deklaruar se brenda vitit ka marrë 31 mijë e 535 euro, këtë vit rektori Dema ka deklaruar se ka marrë 38 mijë e 482 euro si të hyra nga paga, shtesat dhe mëditjet jashtë vendit.

Por, nuk  janë vetëm këto mëditje. Nga UP-ja, rektori merr edhe mëditje të tjera që këtë vit janë 6 mijë e 538 euro, që në vitin 2017 ishte më e ultë, 4 mijë e 204 euro.

Përveç UP-së, rektori Dema mban ligjërata edhe në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, ku për këtë ai merr pagë vjetore prej 3 mijë e 533 euro.

Të hyrat e tjera të deklaruara në AKK, për rektorin Marjan Dema, vijnë nga qiraja e dy lokaleve që arrijnë vlerën prej 3 mijë euro. E bashkëshortja e tij, merr pagë vjetore prej 7 mijë e 919 euro në RTK.

Rektori Marjan Dema, ka deklaruar se posedon para të gatshme (të përbashkëta) prej 17 mijë e 398 euro, si dhe 4 mijë e 935 dollar.

I pari i Universitetit të Prishtinës, ka deklaruar se posedon dy vetura, njëra e tij, tjetra e bashkëshortes. Por, këtë vit ai ka zvogëluar vlerën e veturave ku ka deklaruar se vetura e tij Mercedes 250 ka vlerën prej 2 mijë e 400 euro, ndërsa në vitin 2017 këtë veturë e kishte deklaruar me çmim prej 3 mijë euro.

Poashtu, zbritje të çmimit ka bërë edhe në deklarimin e veturës së bashkëshortes së tij, të cilës këtë vit vetura e tipit IEXUS ka vlerën 2 mijë e 800, ndërsa vitin e kaluar ishte deklaruar se kjo veturë ka vlerën 3 mijë e 500 euro.

Në total familja Dema për një vit kanë marrë 59 mijë e 472 euro që janë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.