Rektori i Ri Zgjidhet më 4 Mars

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka hapur konkurs për zgjedhjen e rektorit të ri menjëherë pasi rektori i deritashëm, Ramadan Zejnullahu, ka paraqitur dorëheqjen e tij më 16 shkurt.

Kandidatët mund të dorëzojnë aplikacionet e tyre për këtë post deri më 1 mars.

Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, konfirmoi për KALLXO.com hapjen e konkursit dhe bëri të ditur datën kur do të zhvillohet intervista dhe kur do të përzgjidhet rektori.

“Konkursi është shpallur në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës më datën 16 shkurt dhe do të zgjasë deri më 1 mars. Intervistimi i kandidatëve do të bëhet me datën 4 mars dhe në të njëjtën ditë do të bëhet edhe përzgjedhja”, tha Kelmendi.

Sipas Kelmendit të drejtë kandidimi ka i gjithë personeli akademik në marrëdhënie të rregullt pune ndërsa përjashtim bëjnë anëtarët e Këshillit Drejtues dhe dekanët e përzgjedhur.

“Nëse ndonjë anëtar i Këshillit Drejtues apo dekan dëshiron të kandidojë për pozitën e rektorit duhet të heqë dorë paraprakisht nga detyra aktuale”, tha Kelmendi.

Rektori i deritashëm i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në ditën kur është shpallur konkursi për zgjedhjen e rektorit të ri.

Në komunikatën e lëshuar për media, më 16 shkurt, rektori Zejnullahu ka bashkangjitur dhe një letër publike, ku ndër tjera thuhet se ai ka ardhur në krye të UP-së për të ndihmuar nxjerrjen e institucionit nga kriza në të cilën e kishin futur degradimi akademik e moral, papërgjegjësia dhe konformizmi.

“E kam ditur se do të jetë shumë vështirë, por nuk kam pasur idenë se rezistenca për ndryshime do të jetë aq e fortë”, ka thënë ai në arsyetimin e dorëheqjes.

Në këtë letër Zejnullahu shkruan tutje se përkrahja e madhe ka ndikuar që ai t’i qëndrojë besnik misionit të tij.

http://kallxo.com/ramadan-zejnullahu-jep-doreheqje/

[interaction id=”56c5b7e6ee2dfdd3605b1380″]