Nga një takim i mëhershëm i Konferencës së Rektorëve. Foto:2018

Rektorët Reagojnë për Përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit

Konferenca e Rektorëve, organ që tubon drejtuesit e universiteteve publike në Kosovë, shprehur keqardhje për përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Europian për Sigurimin e Cilësisë (EQAR).

Në një komunikatë të lëshuar të premten, Konferenca e Rektorëve tha se ky vendim përbën “goditje të rëndë” për arsimin e lartë të Kosovës.

“Ne jemi shumë të shqetësuar me vendimin për të përjashtuar Agjensionin Kosovar të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë (EQAR) në Arsimin e Lartë duke e konsideruar si një goditje e rëndë për Arsimin e Lartë të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Konferencës së Rektorëve.

“Por, ne besojmë që Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë hapat e duhur me urgjencë për ta riparuar dëmin e shkaktuar. Njëherit, ne si Konferencë e Rektorëve, shprehim gatishmërinë që të ndihmojmë në këtë proces”, thuhet në komunikatë.