Rektori Marjan Dema - Foto: KALLXO.com

Rektorati i UP-së sqarohet për tenderin e veturave

Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka dalë me sqarim lidhur me tenderin e shpallur për furnizim me automjete për nevojat e universitetit, pas raportimit të KALLXO.com se ky institucion arsimor ka hapur tender të blejë vetura, të cilat duhet të kenë përgatitje për ulëse të fëmijëve.

KALLXO.com ka raportuar edhe se Universiteti i Prishtinës po kërkon të blejë një xhip me procedura të përshpejtuara për nevoja të rektorit të Universitetit, Marjan Dema .

Rektorati i UP-së, përmes një komunikate për media ka njoftuar se ky proces tenderues është përpiluar duke iu përmbajtur procedurave.

“Rektorati i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ njofton opinionin publik se ofertimi për “Furnizim me automjete për nevojat e Universitetit të Prishtinës”, bazuar në deklaratën e zyrës së prokurimit brenda institucionit tonë, është përpiluar duke iu përmbajtur me përpikëri standardeve dhe rregullativave të kësaj procedure”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, mjetet për realizimin e kësaj blerjeje janë të përfshira në planifikimin e buxhetit, të aprovuar nga Këshilli Drejtues i UP-së.

Ndër të tjerash, rektorati ka theksuar se të gjitha veturat që i posedojnë, janë jashtë funksionit.

“Duke pasur parasysh kërkesat e menaxhmentit dhe pjesës tjetër të stafit të UP-së, ne kemi iniciuar procedurë me afat të shkurtër, e cila, po ashtu është e përpiluar në tërësi brenda standardeve ligjore dhe procedurave të prokurimit”, vijon më tej njoftimi.

“Bazuar në deklaratën e zyrës së prokurimit, specifikat e bëra mediatike, janë specifika standarde të procedurës. Njëherësh, informoheni që Rektori dhe menaxhmenti i UP-së, nuk kanë në kuadër të përgjegjësive të tyre specifikimin e ofertimeve, apo tenderëve të tjerë, por e njëjta është përgjegjësi profesionale e zyrës së prokurimit”, thuhet në komunikatë.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” thotë se është universiteti më i madh në vend, me mbi 40,000 studentë, me numër katër shifror të stafit akademik, si dhe me mbi 300 pjesëtarë të stafit administrativ.