Rekomandohet me Kusht Buxheti i RTK-së

Komisioni për Buxhet dhe Financa edhe pse dha rekomandime që RTK-së t’i ndahen mjetet për tre muajt e fundit të vitit, nuk miratoi raportin për shpenzime të këtij televizioni.

Tre anëtarë të komisionit- Besa Gaxherri, Enver Hoti edhe Labinotë Demi-Murtezi propozuan që në bashkëpunim me kryetarin e bordit dhe menaxhmentin e RTK-së të analizohen në detaje dhe të precizohen të gjitha shpenzimet e televizionit publik.

Kryetari i Bordit të RTK-së Ismet Bexheti tha në mbledhjen e komisionit se RTK-ja po ndjek politikë të kontrollit të shpenzimeve, por sipas tij të hyrat e mediumit nuk po i plotësojnë nevojat.

“Edhe gjatë kësaj kohe është ndjekur një politikë e kontrollit të shpenzimeve duke marrë parasysh nivelin e të hyrave të cilat nuk përmbushin  sa duhet nevojën e institucionit edhe borxhet që janë edhe të trashëguara edhe të akumuluara në vite paksa e rëndojnë këtë institucion. Megjithatë, kemi vazhduar në bazë të një plani të veprimit të miratuar qysh në 2014-ën,” tha Bexheti.

Kryetari i komisioni Naser Osmani tha se janë rritur shpenzimet e RTK-së për 0.3 për qind.

“Në shpenzimet tuaja sidomos te pozicioni pagat dhe mëditjet e mallrat dhe shërbimet ka tejkalim. Pyetja jeme domethënë është logjike , ku i keni marrë paret që  keni mund me ba shpenzime 101.24 për qind në paga dhe mëditje, ku janë marrë ato pare. Edhe te mallrat dhe shërbimet ka një tejkalim për 4.31 për qind. Në total keni bërë shpenzim 0.3 për qind përtej asaj,” tha Osmani.

Në kundërpërgjigjen e RTK-së në lidhje me ato që përmendi Osmani, u tha se janë realizuar më shumë të hyra dhe njëkohësisht një pjesë është marrë tek investimet kapitale dhe shërbimet publike.

Deputetja Besa Gaxherri tha se është e papranueshme mënyra se si RTK-ja ka planifikuar të shpenzojë buxhetin për tre muajt e ardhshëm.

“Sinqerisht është momenti i fundit, ju mu ul atje me  shpenzimet. Nuk e di pse nuk merrni me i krahasu me ndonjë kompani publike, ose ne deputetëve me na shiku a kemi ne kësi luksi, apo këso shpenzimesh. Kjo është e papranueshme, definitivisht është e papranueshme. Shpenzimet 2 milionë e 950 mijë euro qysh i keni planifiku qashtu, për mu janë të papranueshme,” tha Gaxherri.

Mendim të njëjtë me deputeten Gaxheri pati edhe deputetja e “Vetëvendosjes” Shqipe Pantina.

“Unë me Besën nuk pajtohemi shpesh, por kësaj here pajtohna fjalë për fjalë. Sepse të njëjtat çështje që i pata identifiku veç i tha, kështu që s’di a ka nevojë me i përsëritë a jo, por të njëjtat shqetësime i kam,” tha Pantina.

Deputeti Bali Muharremaj tha se në vendin tonë nuk duhet të jepen paga  marramendëse dhe se duhet të zvogëlohet numri i anëtarëve të bordit.

“Ne mendojmë se në vendin tonë nuk duhet të lejohen paga marramendëse. Në qoftë se e shikojmë këtu për shembull pagat e bordit po më duken që janë shumë më të larta se te funksionarët kryesorë të shtetit. Unë kërkoj në mënyrë publike të zvogëlohet numri i anëtarëve të bordit për arsye se janë 11 anëtarë dhe këta dikund në vjet shpenzojnë 110 mijë euro minimumi në bazë të raportit që e kemi përpara,” tha Muharremaj.

Në përfundim të kësaj mbledhjeje, kryetari i komisionit propozoi që një grup punues nga ky komision së bashku me RTK-në të ulen dhe t’i detalizojnë shpenzimet.

“Unë e kisha bërë një propozim që ne rekomandimin ta japim, këta njerëz duhet të marrin paga, po me kusht që një grup punues i komisionit tonë së bashku me menaxhmentin dhe Drejtorin e Bordit të RTK-së, të ulen të bëjnë detalizimin e shpenzimeve për tremujorin  e  ardhshëm,” tha Osmani.

Osmani e arsyetoi propozimin me nevojën për të bërë kursime maksimale.